Teksa ka hyrë në vitin e fundit të mandatit, Benet Beci do të mbetet në historinë politike të Shkodrës si kryetari i disa rekordeve jo fort për t’u krenuar. I zgjedhur me premtimin për transparencë, komunikim dhe një bashki më të hapur ndaj qytetarëve, sot ai e ka kthyer institucionin në një “bunker” të mbyllur ndaj medias dhe opinionit publik. Në kontrast të plotë me pritshmëritë që shoqëruan marrjen e detyrës, Beci ka shmangur pothuajse tërësisht përballjen me gazetarët. Konferencat për shtyp dhe daljet e hapura publike kanë qenë inekzistente, ndërsa komunikimi institucional është reduktuar në njoftime dhe kronika të përgatitura nga stafi i tij dhe të shpërndara të gatshme për mediat. Asnjë inspektim, inaugurim apo apo prezantim me gazetarët, ku merr pyetje dhe jep përgjigje, ku bën atë që duhet të bëjë një politikan, apo drejtues vendor. Raportin me llogaridhënien dhe përballjen me qytetarët dhe të zgjedhurit e ka kritik edhe në parlamentin vendor të Shkodrës.
Shifrat flasin vetë. Nga 36 mbledhje të Këshillit Bashkiak të zhvilluara gjatë mandatit, kryebashkiaku ka qenë i pranishëm vetëm në 5 prej tyre. Një bilanc që ngre pikëpyetje serioze mbi raportin e tij me institucionet vendimmarrëse vendore dhe me detyrimin për llogaridhënie publike. Alergjia ndaj medias dhe mungesa e llogaridhënies ndaj qytetarëve, të cilët janë taksapaguesit që financojnë funksionimin e bashkisë, është një model i trashëguar nga politika e centralizuar e komunikimit që është kritikuar edhe në nivele të tjera të qeverisjes.
Për më tepër, kjo qasje konsiderohet e paprecedentë në historinë e tranzicionit demokratik të Shkodrës. Për 35 vite me radhë, kryetarët e mëparshëm të bashkisë e kanë pasur komunikimin me mediat dhe daljet publike pjesë të punës së tyre. Debati, pyetjet dhe përballja me gazetarët kanë qenë norma, jo përjashtimi.
Kjo e bën edhe më të fortë pyetjen që shtrohet sot në opinionin publik: çfarë e frikëson Benet Becin? Pse një institucion kaq i rëndësishëm si Bashkia Shkodër, një nga bashkitë më të mëdha në vend, funksionon me një strategji kaq të mbyllur komunikimi? Dhe pse kryebashkiaku zgjedh të flasë vetëm përmes deklaratave të përgatitura, duke shmangur ballafaqimin e drejtpërdrejtë me gazetarët dhe qytetarët? Në vitin e fundit të mandatit, këto pyetje mbeten pa përgjigje. Por një gjë është e qartë: premtimi për transparencë dhe hapje është një nga standardet me të cilat qytetarët do të gjykojnë bilancin e plotë të kësaj qeverisjeje vendore.






