Nga koordinimi me aleatët e deri tek Asociacioni, presidentja Vjosa Osmani pati një sërë kritikash për kryeministrin Albin Kurti gjatë fjalimit vjetor përpara deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Pasi nisi fjalimin duke thënë se binomi Rugova – Jashari dhe guximi i pashoq i UÇK-së janë bazament të themeleve të forta të shtetit të Kosovës, u ndal te atë që e quajti patriotizmi kushtetues.
Osmani tha se patriotizmi kushtetues është besimi se kushtetuta është më shumë sesa një akt juridik ndërsa shtoi se kjo dëshmohet në momentin që kur sigurohet se politikat pasqyrojnë atë që është e drejtë e jo atë që është politikisht e përshtatshme.
“Atë që është në interes shtetëror afatgjatë e jo në interes të votave të një palë zgjedhjesh. Atë që e ngrit shtetin tonë lart e jo që i ngrit vetëm numrat në sondazhe. Vizioni largpamës është ajo që gjithnjë i ka dalluar liderët e vërtetë. Jo vetëm në Kosovë, por kudo në botë”, tha Presidentja.
Më pas, Osmani u ndal tek koordinimi me aleatët për të cilin Qeveria e Kurtit është kritikuar vitet e fundit. Ajo tha se dobësimi i aleancave është gabim strategjik, ndërsa të punosh bashkë me ata që ndihmuan Kosovën të çlirohet dhe të ketë shtetin e vet nuk është, as nënshtrim, as shantazhim.
“Aleancat janë për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to apo cenimi i tyre, e cenon vet mbrojtjen e Republikës sonë. […] Prandaj asnjëherë nuk e kam kuptuar e as mirëkuptuar, as talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre, e as keqpërdorimin e emrit të tyre për të fituar pushtet. As njëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës”, tha Osmani.
Osmani gjithashtu i kërkoi Qeverisë e Kuvendit që të ketë pagesa shtesë për ushtarët sipas kërkesave të tyre. “Kam mbështetur vazhdimisht kërkesat që ushtarakëve tanë t’u mbulohen shtesat e rrezikshmërisë, shtesat për punë pas orari, mëditjet për trajnime që zgjasin mbi një muaj si dhe programet e tjera mbështetëse të cilat do të siguronin që njerëzit më të mirë e më të kualifikuar të vazhdojnë avancimin brenda FSK-së. Armatimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe kyç për fuqizimin e shtetit tonë, por ai ka kuptim vetëm kur prapa armës qëndron ushtaraku i motivuar e i mbështetur”, tha ajo.
Osmani deklaroi se përpjekjet e Serbisë dhe përkrahësve të saj në Kremlin për ta minuar stabilitetin e brendshëm si dhe pozicionin ndërkombëtar të Kosovës sa vijnë e shtohen.
Në lidhje me Asociacionin, Osmani kujtoi se ishte sulmuar kur kishte thënë se duhej të fillonin diskutimet me SHBA për draftin, ndërsa tha se tashmë kërkohet e njëjta gjë.
Ndërsa shtoi se me aleatët do të duhej të diskutohet zbatimi i marrëveshjes për pjesën e Kosovës vetëm në shkëmbim të garancive ndërkombëtare që përfshijnë anëtarësimin në NATO dhe organizata ndërkombëtare. “Fatkeqësisht ky propozim i imi atëherë [për diskutimet me SHBA për draftin] ishte goditur në mënyrën më të ulët, me lloj-lloj shpifjesh se kam shitur interesat e vendit. E ku jemi sot? Jemi pikërisht në momentin ku po kërkohet e njëjta, pra që draftin ta hartojmë ne. Por, siç dihet, vendimet e duhura duhet të merren edhe në momentin e duhur. Njësoj po ndodhë edhe këto ditë, me lloj- lloj shpifjesh të ulëta se kinse Presidentja po kërkon “nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes”. Kjo është gënjeshtër”, tha ajo.
Fjalimi i Osmanit në Kuvend ishte përqendruar edhe në disa çështje të tjera ndërsa u bojkotua nga dy partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Në fund, Osmani është larguar pa i shtrënguar dorën kryeministrit Albin Kurti apo zëvendëskryeministres Donika Gërvalla. Ndërsa deputeti i pavarur Haki Abazi gjatë momentit të largimit të Osmanit ka bërtitur “hajna, hajna”.