Ballina Kronike Muriqan, Francezi kapet duke transportuar një tajlandeze të fshehur në valixhe

Muriqan, Francezi kapet duke transportuar një tajlandeze të fshehur në valixhe

Një tentativë e pazakontë për kalim të paligjshëm të kufirit është zbuluar mesditën e kësaj të enjteje në Pikën Kufitare të Muriqanit, ku autoritetet kanë arrestuar një shtetas francez dhe një shtetase tajlandeze. Sipas burimeve policore, rreth orës 13:00 një automjet “Mercedes-Benz” me targa të huaja është paraqitur në dalje të territorit shqiptar. Në timon ndodhej 26-vjeçari francez T.H, i lindur në vitin 2000. Gjatë procedurave të kontrollit, efektivët e Policisë Kufitare kanë vendosur ta kalojnë automjetin në vijën e dytë për një verifikim më të detajuar. Pikërisht aty është zbuluar se në sediljen e pasme, brenda një valixheje të mbyllur, ishte fshehur një grua me shtetësi tajlandeze. Nga veprimet e para hetimore rezulton se i riu francez dyshohet se po tentonte ta nxirrte shtetasen tajlandeze nga Shqipëria në mënyrë të paligjshme, duke shmangur procedurat kufitare. Sipas të dhënave paraprake, destinacioni i tyre ishte Franca, ndërsa itinerari parashikohej të kalonte përmes Malit të Zi dhe më pas Kroacisë. Pas zbulimit të rastit, policia ka vënë në pranga të dy shtetasit, ndërsa është njoftuar edhe Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Shkodër. Automjeti dhe valixhja janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar nëse bëhet fjalë për një rast të izoluar apo pjesë të një skeme të organizuar të trafikimit të emigrantëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks