Ballina Aktualitet Ministri i Drejtësisë prezanton Drejtorin e ri të Agjencisë së Trajtimit të...

Ministri i Drejtësisë prezanton Drejtorin e ri të Agjencisë së Trajtimit të Pronave Valdrin Pjetri: Prioritet transparenca, ritmi dhe integriteti

Ministri i Drejtësisë Toni Gogu zhvilloi një takim me stafin e Agjencisë së Trajtimit të Pronave, ku prezantoi Drejtorin e ri të Përgjithshëm Valdrin Pjetri dhe përcaktoi prioritetet e punës për periudhën në vijim.
Në fjalën e tij, Ministri vlerësoi rolin e Agjencisë si një nga institucionet më të rëndësishme në administratën publike, duke theksuar se pas çdo dosjeje që trajtohet qëndron historia e një familjeje dhe rikthimi i besimit të qytetarëve te shteti.
“Puna që bëni nuk është thjesht trajtim dosjesh. Është një proces që rikthen besimin te ligji dhe institucionet, duke u dhënë qytetarëve shpresën se shteti funksionon”, u shpreh Ministri.
Ai kërkoi rritjen e ritmit të trajtimit të dosjeve, në përputhje me objektivat e përcaktuara në ligj, duke theksuar nevojën për vendosjen e objektivave të matshëm dhe monitorimin e vazhdueshëm të performancës.
Një tjetër prioritet i theksuar ishte transparenca ndaj qytetarëve. Ministri kërkoi që çdo qytetar të ketë informacion të qartë mbi fazën në të cilën ndodhet dosja e tij, duke e konsideruar këtë element thelbësor për rritjen e besimit te institucioni.
Gjithashtu, ai nënvizoi rëndësinë e integritetit profesional dhe respektit ndaj qytetarëve, duke kërkuar standarde të njëjta shërbimi për të gjithë dhe një kulturë pune të bazuar te përgjegjësia dhe llogaridhënia.
Ministri theksoi se çështja e pronës është me rëndësi strategjike për vendin, pasi lidhet drejtpërdrejt me shtetin e së drejtës, zhvillimin ekonomik, klimën e investimeve dhe procesin e integrimit europian, veçanërisht me përmbushjen e detyrimeve të Kapitullit 23.
Në përfundim, ai siguroi mbështetjen e plotë të Ministrisë së Drejtësisë për drejtimin e ri të Agjencisë dhe ftoi çdo punonjës të kontribuojë çdo ditë me një përmirësim konkret në punën e tij, duke theksuar se ndryshimi ndërtohet përmes përmirësimeve të vazhdueshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks