Vite më parë për llogari të Shoqatës “Misionarët e Paqes” isha pjesë e një takimi me prokurorin e rrethit Shkodër, sot ministër i drejtësisë Z. Ulsi Manja.
Pas vrasjes së kreut të shoqatës, i gjithë dokumentacioni ishte sekuestruar nga Prokuroria e Shkodrës, ndërkohë që kryesia kërkonte rikthimin e dokumenteve pas mbylljes së hetimeve.
Rezistenca e prokurorit të rrethit për të mos i kthyer fokusohej në një pikë kryesore:
Shumë ngjarje të pazbardhura nga policia dhe organet ligjëzbatuese dhe hetimore, çuditërisht gjenin hapësirë në veprimtarinë e kësaj shoqate. Vrasjet pa autorë ende sot, ishin palë në pajtimet apo ndërmjetësimet e kësaj shoqate dhe jo vetëm.
Përse e kujtoj këtë ngjarje sot? Sepse asgjë nuk ka ndryshuar. Që nga koha kur punoja gazetare e kronikës e deri më sot janë me dhjetra dosje të zëna pluhur të vrasjeve të pazgjidhura, ku autorët nuk janë vënë përballë drejtësisë. Jo që nuk kishin prova.
Nuk ka një vullnet të qartë as nga policia apo prokuroria për të nxjerrë ato dosje nga sirtarët dhe për të vënë pikat mbi I.
Shumë nga ato ngjarje vuajnë pasojat dhe sot, krahas konflikteve të reja që po marrin jetë të reja.
“Hënkshin kokat e njëri tjetrit” duhet të marrë fund. Sepse nuk ka të mirë e të këqinj në këtë histori. Ka viktima, veç viktima.
Në Shkodër ka të vdekur të gjallë sot. Ca janë të kallur në katër muret e banesave të tyre. Ca dalin me shpresën që sot nuk do jetë dita e tyre për të vdekur.
A i vret ndërgjegja këta drejtues policie, prokurorë e gjykatës për terrorin dhe pasigurinë që qytetarët e Shkodrës ndjejnë teksa dëgjojnë lajme ekzekutimesh gati çdo javë?
A e ndjejnë veten të dështuar, të paaftë, jo ekzistentë teksa komuniteti i qytetit ku jetojnë e punojnë kanë frikë të përmendin ca emra?
Pasiguria dhe frika e ka vrarë këtë qytet më shumë se varfëria. Çdo ditë njërëzit po e braktisin Shkodrën edhe për fajin tuaj. Sepse nesër, viktima të mosveprimit nga policia, prokuroria, gjykata mund të jetë secili nga ne.
Mos e lini të vdesë këtë qytet. Ktheni besimin tek njërëzit që Shkodra nuk është qyteti i gjakmarrjes, hakmarrjes e larjes së hesapeve. Bëjeni për fëmijët tuaj, për këtë brez që po rritet me sytë përtej kalasë…