Ditën e sotme hakerat të cilët sulmuan adresat zyrtare të institucioneve shqiptare dhe titullarëve të tyre, kanë bërë publike edhe e-mailet e ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Në një nga e-mailet e mbërritura në adresë të Gledis Nanos ka qenë dhe një ankesë ndaj një oficeri në drejtim të eprorit të tij pasi kishte përdorur gjyhë fyese.
Më konkretisht shefi i sektorit ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, Haxhi Bala, i ankohet Nanos se gjatë një bisede me Drejtorin e Policisë së Tiranës, Lorenc Panganika, në zyrën e këtij të fundit, ishin përdorur tone të larta dhe fyese nga ana e titullarit.
Sipas asaj që shkruhet në e-mail, Bala thekson se një ditë është thirrur në zyrë nga Panganika, për tu sqaruar në lidhje me disa praktika për nënshkrim.
Pas një bisede të gjatë dhe të tensionuar mes Balës dhe Panganikës, ky i fundit është nxehur dhe e ka fyer duke i thënë: “Plehrë, dil jashtë nga zyra, mos të ta shoh më surratin”.
E gjithë kjo situatë sipas Balës ndodhi vetëm pse ai i kishte kërkuar eprorit të tij që të mos e lodhte disa herë me të njëjtën pyetje, për të cilën kishte marrë përgjigje.
“Drejtor po me lodh, unë i thashë jam asistenti yt i drejtpërdrejtë për shërbimet qe mbuloj dhe drejtoj. Nëse nuk ekziston besimi, ma thuaj te bej kërkesë dhe te iki. Kaq ishte dhe shpërtheu, me fyerje.”, kështu i shkruan Bala në e-mail ish-Drejtorit të Përgjithshëm Gledis Nano, gjatë kohës që ky i fundit ishte ende në detyrë.
Ndërkohë më tej Bala në e-mailin drejtuar Nanos i kërkon këtij të fundit transferimin në një zyrë tjetër pasi e kishte të pamundur të vijonte punën normalisht me drejtorin aktual.