Operacioni i kryer nga prokuroria e kryeqytetit për ndalimin e 18 punonjësve të burgut të Fierit dhe 302-shit në Tiranë, solli ndalimin dhe të një prokurori në stazh.
Është Ervis Alliaj, i cili kishte pak muaj që ushtronte praktikën profesionale si prokuror pranë akuzës së kryeqytetit.
Alliaj është arrestuar nga forcat e policisë së Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, pasi gjykata e Tiranës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Kjo pasi gjatë një hetimi të zhvilluar në prokurorinë e Tiranës, është provuar se Ervis Alliaj, ka konsumuar veprën penale të “Falsifikimit të dokumentave” dhe “Falsifikimit të vulave dhe stampave e formularëve”.
Sipas dosjes së prokurorisë këto veprime kanë ndodhur në 21 raste të përsëritura, gjatë periudhës kur ai ka shërbyer si Përgjegjës i Sektorit Ligjor në Burgun e Fierit. Në dosjen hetimore evidentohet “fakti se në 21 praktikat e hartuara nga Ervis Alliaj, kanë përfituar në mënyrë të paligjshme uljen e dënimit nga gjykata, 21 persona”
Rezulton se më vonë Alliaj është larguar si jurist i burgut të Fierit pasi ka fituar shkollën e magjistraturës për tu bërë prokuror.
Aktualisht ai është në periudhën e zhvillimit të stazhit në prokurorinë e Tiranës, por në muajin Shtator 2022 u procedua dhe arrestua nga kolegët e tij, duke e akuzuar për dy vepra penale.
Alliaj së bashku me 17 zyrtarë të burgjeve, dolën para gjykatës së Tiranës, për tu njohur me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, por gjyqtarja e çështjes revokoi vendimin e parë duke caktuar detyrim paraqitje për pjesën më të madhe të punonjësve të burgjeve.
Prokurori stazhist u vendos që të ndiqet në gjëndje të lirë, pa pasur një masë sigurimi konkrete. Shkak i kësaj situate erdhi pasi Ervis Alliaj paraqiti dokumentacionin se është në fazën përfundimtare të shkollës, dhe çdo masë tjetër sigurimi do ti sillte pengesë serioze për ndjekjen e studimeve shkollore.
Por me vendimin e gjykatës së Tiranës, nuk është pajtuar prokurori i çështjes Bledar Valikaj, i cili tashmë ka depozituar Apelimin për të kërkuar ndryshimin e masave të sigurisë, përfshirë këtu edhe për prokurorin stazhist.