Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit po zhvillohet ceremonia e marrjes së detyrës nga Drejtori i Ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku. Ceremonia u hap me himnin e flamurit Kombëtar, ku më pas Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi mbajti një fjalim. Çuçi tha se nuk kishte personazh më të mirë për ta çuar përpara detyrën e kreut të Polcisë, ndërsa e këshilloi Rrumbullakun për peshën e madhe që ka flamuri i Shqipërisë.


“Drejtori i ri vjen në një moment shumë të rëndësishëm të reformimit të Policisë së Shtetit. Një proces transformimi që ka marrë kohën e vet. Nuk kishte personazh më të mirë për ta çuar përpara këtë detyre. Veç kritereve ligjore, është nga të pakët punonjës të policisë që ka krijuar një figurë me integritet të lartë moral dhe profesional. Është nga të pakët që ka qenë në pjesën më të madhe në profesione me përgjegjësi dhe e ka pasur të qëndrueshme. Rrumbullaku, ju sot do të merrni në dorëzim flamurin e organizatës. Ne respektojmë shumë flamuj të vendeve të tjera, por flamuri i vetëm të cilit i përulemi të gjithë dhe për të cilin kanë dhënë jetën shumë shqiptarë të mirë, edhe përfaqësues të policisë dhe çdo shqiptar i mirë është gati ta japë jetën, është flamuri me dy krerë. Mos e harroni në asnjë ditë të punës suaj”, u shpreh Çuçi.


Drejtori i Ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku u betua sot gjatë ceremonisë për marrjen e detyrës.
“Në këtë çast solemn, në respekt të brezave, në shenjë nderimi, të rënëve në krye të detyrës, të vendosur për të zbatuar ligjin, betohem për të mbajtur me nder Flamurin e Policisë së Shtetit”, u shpreh Rrumbullaku.
Policia e re ka nevojë për një frymë të re, që e sjell gjenerata e re e Policisë së Shtetit. Policia mbart kapacitete njerëzore dhe intelektuale, mjafton që këta të ruhen e të promovohen në bazë të mertitokracisë. Çdo punonjës duhet të jetë komod, për këtë kemi për të zhbërë çdo pabarazi. Menaxhimi i burimeve njerëzore do të jetë kryefjala, në zbatim të ligjit. Nuk ka vend për persona pa integritet. Personeli do të edukohet në mënyrë të vazhdueshme”, shtoi ai.


Rrubmbullaku u emërua dje në krye të Policisë së Shtetit. Kryeministri Rama deklaroi se Rrumbullaku do të ketë 100 ditë kohë për nxjerrjen e Policisë nga udhëkryqi në të cilin është futur. Muhamet Rrumbullaku emërohet në krye të Policisë së Shtetit pas tre vitesh drejtimi të SHÇBA-së, e transformuar së fundmi në Agjenci të Mbikëqyrjes Policore. Ai më herët ka mbajtur poste të larta në polici, ndër to edhe drejtues i Policisë së Tiranës. Emërimi i tij në krye të bluve vjen pas shkarkimit të Gledis Nanos në 31 gusht, me motivacionin se nuk ka përmbushur objektivat e vendosura.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu