Policia e Shkodrës ka gjetur një automjet tip Land Rover të djegur në zonën e Grudës së Re, e cila dyshohet se është përdorur në atentatin e Shkodrës.
Brenda saj janë gjetur 2 automatikë, çka shton edhe më shumë dyshimet se janë përdorur në ngjarjen ku pati 2 viktima dhe 2 te plagosur.
Newspower.al ka siguruar edhe pamjet e makinës e cila është shkrumbuar totalisht nga flakët. Automjeti eshte gjetur 10 minuta pas ngjarjes.
Shkodra u trondit nga një atentat mafioz pasditen e kësaj të mërkure, që la pas dy të vdekur dhe dy të plagosur rëndë.Pasi e ndoqën për disa metra, persona ende të paidentifikuar i bënë pritë Hamza Licit.
Ata qëlluan me breshëri në drejtim të mjetit tip “Benz” me të cilin po lëvizte Lici, duke e lënë të vdekur dhe më pas u larguan nga vendi i ngjarjes.
Plumbat kapën edhe Arlind Bushatin, qe ndodhej në makinë së bashku me Hamza Licin. Ai mori një plumb në kokë dhe është në gjendje të rëndë për jetën në spital.
Pas të shtënave, makina me të cilin lëviznin Lici dhe Bushati humbi drejtimin dhe shkaktoi aksident, duke përplasur një motoçikletë. Në të udhëtonin një çift bashkëshortësh, Flutura dhe Bashkim Basha. Si pasojë e përplasjes, humbi jetën në vend Flutura Basha, ndërsa bashkëshorti i saj ndodhet në gjendje kritike.
Policia rrethoi zonën dhe sekuestroi kamerat e sigurisë për të bërë të mundur identifikimin e autorëve. Po ashtu, në vendin e ngjarjes shkuan dy grupe te forcave speciale “RENEA” dhe u ngriten disa pika kontrolli për të kapur atentatorët.