Në GJKKO po mbahet seanca e dytë në themel për gjykimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe 29 të pandehurve të tjerë.
Kryebashkiaku nuk është paraqitur në seancën e sotme, por vetëm avokatja e tij e caktuar kryesisht, Valentina Teodoresku. Të pranishëm në sallën e gjyqit janë edhe prokurorët e çështjes, Altin Dumani dhe Ols Dado.
Veliaj ka kërkuar që të përfaqësohet në seancë nga avokati i tij i ri, ish deputeti i PS-së, Plarent Ndreca.
Pas legjitimimit të Ndrecës si avokat i Veliajt, Prokurori Ols Dado ka zbardhur procesverbalin për dosjen hetimore, duke zbuluar të gjitha ofendimet dhe sharjet e Veliajt nga qelia në momentin kur i është dorëzuar dosja hetimore nga oficerët e BKH-së.
Prokurori Ols Dado lexon procesverbalin për dosjen
Ols Dado: “OPGJ-të kanë shkuar në burgun e Durrësit për të dorëzuar aktet. Sipas OPGJ-ve, Erjon Veliaj i ka ofenduar dhe i ka kundërshtuar oficerët.
Veliaj ka deklaruar: “Më ke abortuar dy herë gruan. Ku është prokurori Ols Dado që është më i pasuri aty. Ka marrë leje ndërtimi nga unë. S’kam për t’iu falë kurrë. Ku është ai pis? Këto janë fjalët që Erjon Veliaj iu tha hetuesve kur shkuan për t’i dorëzuar aktet hetimore”.
Erjon Veliaj thotë se në shkresa janë gjetur shkresa me emër të djalit të tij Kajan Veliaj në lidhje me një kontratë me OSHEE.
Ju deklaroj me siguri të plotë se Prokuroria e Posaçme nuk e ka përmendur asnjëherë djalin e të pandehurit Erjon Veliaj. As përmendur dhe as shkruar në asnjë shkresë”.
Plarent Ndreca: “Ka një version tjetër që oficerët i kanë shkuar në qeli Veliajt dhe nuk e di ku e kanë gjetur këtë të drejtë. Nuk e di kush flet për etikë, Erjon Veliaj apo ato oficerët që paguhen me taksat e qytetarëve”.
Kaq ka mjaftuar që të shkaktonte reagimin e prokurorit tjetër Altin Dumani
Altin Dumani: “Më i kujdesshëm kur përmend hetuesit e BKH-së. Ata kanë shkuar për të ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Posaçme. Mos improvizoni situata që nuk ekzistojnë. Ju flisni me hamendje dhe ne flasim fakte”./oranews






