Në Kodër Shën Gjergj, pranë kishës me të njëjtin emër, tashmë ngrihet një kryq 10 metra i lartë, i dukshëm nga larg, që synon të bëhet simbol i besimit, shpresës dhe kujtesës për një trevë që rrezikon të mbetet vetëm një kujtim.
Kryqi u përurua më 17 gusht 2026, në njësinë administrative Shosh, pjesë e Bashkisë Shkodër. Struktura metalike është vendosur mbi një bazament të ndërtuar posaçërisht dhe është pajisur me ndriçim, duke e bërë të dukshëm edhe gjatë natës.
Pas këtij investimi qëndron Arben Mhill Kodra, prej 26 vitesh emigrant në Firence të Italisë, por që lidhjen me vendlindjen nuk e ka shkëputur asnjëherë.
Kodër Shën Gjergji mbart një prej historive më të dhimbshme të kësaj zone. Sipas dëshmive dhe kujtimeve të banorëve, gjatë viteve 1946–1950, në këtë vend u vranë dhjetëra burra e gra të konsideruar kundërshtarë të regjimit komunist. Sipas rrëfimeve të trashëguara ndër breza, trupat e tyre u hodhën më pas në ujërat e përroit aty pranë.
Kjo histori ka mbetur e gjallë në kujtesën e Arbenit përmes rrëfimeve të prindërve dhe banorëve të vjetër. Pikërisht për këtë arsye, vendosja e kryqit u kthye për të në një mision personal: një shenjë përkujtimi për viktimat dhe për dhimbjet që ka përjetuar kjo trevë.
Kryqi është vendosur pranë kishës, me miratimin e Arqipeshkvisë. Kisha ndodhet ngjitur me shtëpinë e familjes Kodra dhe, së bashku me kryqin e ri, krijojnë tashmë një pikë me potencial për t’u kthyer në një destinacion me rëndësi shpirtërore, historike dhe turistike.
Menjëherë pas ngritjes së kryqit dhe ndezjes së ndriçimit, ai tërhoqi vëmendjen edhe të vizitorëve të huaj. Pozicioni panoramik e bën atë të dukshëm nga Qafë-Thorja, Gimaj, Nicaj, Vuksanaj, Breg-Lumi dhe zona të tjera përreth.
Por përtej simbolikës fetare, Kodër Shën Gjergji dëshmon edhe historinë e një fshati që po shuhet. Dikur, këtu jetonin rreth 130 banorë në 17 shtëpi. Sot, fshati është pothuajse i braktisur, ndërsa vetëm në periudha të caktuara të vitit rikthehen banorë sezonalë.
Shpresa është që, krahas restaurimit të kishës, Kodër Shën Gjergji të mund të shndërrohet në një vend pelegrinazhi dhe vizitash, duke i dhënë jetë një territori që rrezikon të humbasë bashkë me largimin e banorëve.
Traditat fetare dhe kulturore të zonës vazhdojnë të ruhen edhe sot. Në këtë trevë kremtohen Nata e Shën Gjergjit, më 23 prill, si dhe Shqyrku i Shoshit, më 13 korrik.
Kryqi i ri tashmë është bërë pjesë e panoramës së Shoshit. Por përtej madhësisë dhe dukshmërisë së tij, ai mbart një mesazh më të thellë: historia të mos harrohet, vendlindja të mos braktiset dhe kujtesa e atyre që humbën jetën të përcillet e gjallë brez pas brezi.






