Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi zhvilloi takimin e dytë të turit kombëtar “Udhëtimi në Shqipëri”, këtë herë në Fushë-Arrëz, ku qytetarë, përfaqësues të institucioneve vendore dhe organizata të shoqërisë civile diskutuan për problematikat e diskriminimit në zonat rurale.
Komisionerja Genta Tafa Bungo tha se diskriminimi nuk është vetëm një problem i zonave urbane, por mund të shfaqet kudo ku ka marrëdhënie shoqërore. Sipas saj, zonat e thella rurale përballen me vështirësi të veçanta për shkak të mungesës së shërbimeve dhe barrierave sociale.
Një nga kategoritë e prekura janë gratë në zonat rurale, të cilat, sipas Komisioneres, përballen me pengesa në trashëgiminë e pronës, pjesëmarrjen në vendimmarrje dhe aksesin në burime ekonomike, si toka dhe kreditë.
Vëmendje iu kushtua edhe personave me aftësi të kufizuara, për të cilët rrugët, transporti dhe ndërtesat publike jo gjithmonë plotësojnë nevojat e tyre. Këto problematika, sipas KMD-së, mund të shtojnë izolimin dhe vështirësitë në marrjen e shërbimeve.
Në takim u diskutua gjithashtu për të rinjtë, veçanërisht vajzat, të cilat në zonat rurale mund të përballen me presione sociale që ndikojnë në mundësitë e tyre për arsimim. Komisionerja përmendi edhe komunitetet rome dhe egjiptiane, si dhe personat e moshuar, të cilët hasin pengesa të ndryshme në aksesin e barabartë në shërbime.
Përfaqësuesit e Komisionerit informuan qytetarët mbi të drejtat që garanton ligji dhe mënyrat e mbrojtjes nga diskriminimi, ndërsa gjatë takimit u diskutuan edhe raste konkrete të evidentuara nga banorët.
Nisma “Udhëtimi në Shqipëri”, e mbështetur edhe nga projekti PACEP II, synon ta afrojë institucionin me qytetarët në zona të ndryshme të vendit. Pas Malësisë së Madhe dhe Fushë-Arrëzit, turi do të vijojë në Kukës më 29 shtator, ku fokusi do të jetë përfshirja dhe aksesueshmëria e personave me aftësi të kufizuara.






