Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Arben Kingji informoi sot se Forcat e Armatosura janë angazhuar me një personel prej mbi 4600 forcash për të përballuar situatën e zjarreve këtë verë.

Në një diskutim me ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vëngu në sallën e Shtabi të Përgjithshëm të FA ku realizohet koordinimi dhe mbështetja e forcave për nevojat e emergjencave civile, mbi zhvillimin e strategjisë për përballimin e situatës të zjarreve në vend, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneralmajor Arben Kingji u shpreh se Forcat e Armatosura janë aktualisht janë prezent në të gjitha qarqet ku operojnë FA-të me forca, mjete, helikopterë si dhe pjesë të tjera mbështetëse sipas nevojës.

“Gjatë gjithë periudhës së verës kemi pasur një angazhim me mbi 4600 personel, të cilët janë angazhuar në të gjitha detyrat sipas kërkesave. Realizimi i të gjitha kërkesave ka ardhur nëpërmjet qendrës së bashkuar operacionale. Është bërë koordinimi me të gjitha institucionet dhe aktualisht po veprohet mbi bazën e të gjithë rregullave në fuqi për këtë qëllim”, tha Kingji.

Ai shtoi se, gjatë kësaj periudhe është operuar me forcën ajrore, ku janë vënë në dispozicion helikopterët Cougar.

“Helikopteri Cougar ka vepruar si në pamje të kushteve të motit të kufizuar ashtu edhe gjatë ditës. Njëkohësisht i jemi përgjigjur kërkesave që kanë ardhur për emergjencat shëndetësore. Helikopteri është në gatishmëri të plotë 24 orë në 7 ditë të javës”, u shpreh Kingji.

Kingji shtoi se, “po kështu i jemi përgjigjur me mbështetje të plotë edhe Policisë së Shtetit me helikopterët “Black Hawk” për transportin e personelit. Njëkohësisht e gjithë flota ajrore është në gatishmëri të plotë operacionale për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave për emergjencat civile”.

Kingji u shpreh se, është operuar edhe me dronët “Bayraktar” për të përcaktuar të gjitha vatrat, dëmet e shkaktuara nga zjarret, për të pasur një ide më të qartë për dëmet.

Njëkohësisht, shtoi ai, “në mbështetje të emergjencave civile kemi vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet xheniere për pastrimin e municioneve në të cilën operojnë forcat tona në terren.

Njëkohësisht, u shpreh Kingji, janë marrë masat e plota për vendosjen në gatishmëri edhe të mbështetjes me forcat e kimisë në rast se do paraqitej nevoja.

Kingji u shpreh se, “Baza ajrore e Kuçovës me ardhjen e dy avionëve nga Rumani është operacionale e plotë. Kemi marrë masa me mbështetje logjistike, komandim kontrolli për realizimin me sukses të misionit” .

Ndërsa, Drejtori i Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako u shpreh se deri tani ka pasur një përballim të suksesshëm të të gjitha situatave, pavarësisht intensitetit të shtuar dhe të jashtëzakonshëm.

“Vetëm 24 orët e fundit kanë pasur një intensitet shumë të lartë mbi 40 vatra zjarri të cilat janë menaxhuar të gjitha, me përjashtim të ekzistencës së disa vatrave që janë kryesisht në zona malore, për të cilat po vazhdon puna me të gjitha kapacitet dhe strukturat operacionale, qofshin ato të njësive të pushtetit vendor, por edhe të mbështetura fuqishëm nga strukturat operacionale të nivelit qendror sikurse janë edhe forcat e armatosura, të cilat janë angazhuar maksimalisht nga toka, por edhe nga ajri, ku vlen të theksohet dhe të falënderohet i gjithë stafi i flotës ajrore, i cili ka qenë në gatishmëri të jashtëzakonshme dhe ka ndihmuar në një parandalim të jashtëzakonshëm të situatave, të cilat kanë vënë në rrezik jetë qytetarësh dhe zona të banuara, të cilat për fat të mirë kanë shpëtuar”, tha Çako.

Ai u shpreh se, AKMC është në komunikim dhe në bashkërendim edhe me drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave civile në Bruksel.

“Në sajë të ligjit dhe të marrëveshjes që qeveria shqiptare ka bërë me Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile kemi mundësuar mbërritjen e dy avionëve, të cilët po operojnë në zonën e Prespës. Rezultati ka qenë shumë pozitiv”, tha Çako.

Ai shtoi se operacioni vazhdon edhe ditën e sotme dhe situata është nën kontroll.

“Kemi pak vatra të cilat janë ekzistente, por në pjesën më të madhe vatrat digjen brenda sipërfaqes së djegur. Gjithsesi monitorohen në vazhdimësi me struktura operacionale për parandalimin e përhapjes në zona të banuara, duke vendosur në prioritet absolut jetët e qytetarëve dhe zonat e banuara”, tha Çako.

Ai bëri një thirrje për gjithë komunitetin të jenë pjesë integrale e reagimit në kohë për paralajmërimin e hershëm, pasi tha ai, “koha në të cilën reagojmë është një nga elementët më thelbësorë dhe më të rëndësishëm të gjithë përballimit të këtyre situatave të pazakonta, të cilat në vendet fqinje, sikurse jam informuar dhe komuniteti ka pasur risqe shumë të shtuara në zona të banuara”.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu së bashku me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneralmajor Arben Kingji dhe drejtorin e Përgjithshëm të AKMC, Haki Çako zhvilluan sot në sallën e Shtabit të Përgjithshëm të FA ku realizohet koordinimi dhe mbështetja e forcave për nevojat e emergjencave civile, një diskutim mbi zhvillimin e strategjisë për përballimin e situatës të zjarreve në vend.

Vëngu u shpreh se, sapo është përfunduar informimi për situatën lidhur me zjarret që kanë përshkuar vendin ditën e djeshme sikundër dhe parashikimet për ditën e sotme dhe ditët në vijim.

“E vërteta është që kemi pasur një javë të vështirë, por vetëm për vendin por për mbarë rajonin dhe dita e djeshme ka qenë dita me intensitetin më të madh të vatrave të zjarreve. 40 vatra të identifikuara në rang vendi, sikundër kemi pasur gjithashtu dhe reagimin më të madh dhe gatishmërinë më të madhe pasi kemi arritur të shuajmë 30 prej tyre, ndërkohë që mbetet ende 30 aktive dhe përpjekjet vijojnë për shuarjen në orët në vijim”, tha Vëngu.

Ministri shtoi se, gatishmëria është rritur ditët e fundit.

“Edhe falë mbështetjes së dy avionëve të ardhur nga forcat ajrore rumune brenda Mekanizmit të Mbrojtjes Civile Evropiane. Sigurisht tani koha është për reagim të shpejtë. Kemi përparësi mbrojtjen e jetëve të qytetarëve, mbrojtjen e pronave të tyre”, tha Vëngu.

Vëngu u shpreh se, çdo emergjencë sjell gjithashtu dhe mësime.

“Do të vijë momenti që do të bëjmë një analizë të dëmeve. Do të vijë momenti që do të bëjmë një analizë të gjithë mekanizmit dhe kapaciteteve reaguese. Kemi synim që me mbarimin e gjithë këtij sezoni të vështirë me zjarret në mbarë rajonin të bëjmë një analizë të hollësishme dhe të nxjerrim konkluzione sa i përket shpërblimeve të dëmeve ndaj qytetarëve.

Të nxjerrim konkluzione dhe udhëzime përsa i përket gatishmërisë të gjitha bashkive, të cilat sipas ligjit dhe standardeve duhet të jenë në vijë të parë të reagimit të emergjencave civile. Sikundër duhet të përforcojmë gjithashtu dhe kapacitetet reaguese te forcave të armatosura të cilat vijnë të përforcojnë ato bashki, ato ekipe vendore që nuk kanë kapacitetet e nevojshme”,u shpreh ministri Vëngu.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu