Kombëtarja nuk arriti të shfrytëzonte mundësinë për të marrë kreun e grupit në Ligën e Kombeve, pasi kuqezinjtë u ndalën në një barazim 0-0. Një rezultat që i lë të 3 në grup me pikë të barabarta me Gjeorgjinë dhe 1 më pak se Çekia. Megjithatë pas sfidës në Air Albania, ku për tu veçuar ishte mbështetja e zjarrtë e tifozëve, disa prej futbollistëve të kombëtares mendonin se rezultati më i drejtë mund të ishte fitorja.

“Ne u futëm për të marrë 3 pikët sepse siç e patë edhe vetë çekët erdhën për të barazuar dhe këtë e arritën. Tani ajo që na mbetet ne është që ashtu si sot, që luajtëm për 3 pikët, ta bëjmë kundër Ukrainës të martën,”-u shpreh Ardian Ismajli, kapiten i Kombëtares.

“Kemi pritur që 15 minutat e para do jenë shumë të vështira, me topa të gjatë dhe luftë fizike. Fatkeqësisht zgjati më shumë se 15 minuta, 30 dhe patëm pak topin. Pjesën e dytë kemi qenë më mirë dhe ndodhta merituam edhe 3 pikët,”-tha Arlind Ajeti, futbollist i kombëtares. Ishte një ndeshje shumë e vështirë se Çekia është shumë fizike dhe ne marrim këtë pikën. Tani mendojmë për të martën,”-deklaroi Kristjan Asllani, futbollist i kombëtares. “Besoj se ishte rezultat i drejtë sepse edhe ata vetëm 2 tranversat kishin në fillim të ndeshjes. Nuk bënë diçka më shumë se ne. Edhe ne patëm 4-5 aksione të rrezikshme,”-u shpreh Indrit Tuci, futbollist i kombëtares. Në kampin kundërshtar kishin lëvdata për Shqipërinë në këtë përballje edhe pse kuqezinjtë nuk u hakmorrën për humbjen e 1 muaji më parë para në Pragë. “Rezultoi një ndeshje shumë e vështirë ashtu siç e prisnim sepse Shqipëria është një kundërshtar delikat. Jemi të lumtur që nuk pësuam sepse këtu vitin e kaluar shkoi ndryshe. Ne jemi të kënaqur me barazimin,”-deklaroi Tomas Soucek, futbollist i Çekisë. Trajneri i kombëtares, referuar rivalit, mendon se barazimi ishte një rezultat aspak i thjeshtë. “Ishte shumë e vështirë të luajë përballë tyre, me lojtarë shumë të gjatë dhe sulmuesin e tyre 2 metra. Mund të them se nuk jemi vetëm ne në fushë, por edhe kundërshtari. Do të shoh lojtarët në stërvitje për të parë si do rikuperohen dhe mund të ketë ndryshime kundër Ukrainës,”-tha Sylvinho, trajner i kombëtare. Për të synuar vendin e parë në grup Shqipërisë i duhet që të martën të fitojë patjetër kundër Ukrainës dhe të shpresojë te një barazim i Çekisë ndaj Gjeorgjisë. Një opsion tjetër është fitorja minimale e Gjeorgjisë dhe suksesi me goledaë i kuqezinjve kundër Ukrainës, por që duket më i vështirë. Përveç vendit të parë edhe vendi i dytë siguron ‘play-offin’ që edicionin e radhës të ngjitet në Ligën A.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu