Ilirjan Celibashi miratoi aktin që parashikon vendosjen e një koordinatori sigurie në çdo qendër votimi. Ky koordinator do të raportojë çdo parregullsi që do të konstatojë, duke e referuar menjëherë në polici. Me këtë vendim, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve kërkon nga Policia e Shtetit një rol më proaktiv gjatë procesit zgjedhor.
Ndër parregullsitë që koordinatori i sigurisë duhet të raportojë është edhe prania e personave të paautorizuar pranë qendrave të votimit. Sipas aktit të miratuar, është përcaktuar një perimetër sigurie prej 150 metrash, brenda të cilit nuk do të lejohen persona të paautorizuar.
Koordinatorët do të monitorojnë vazhdimisht mjediset e jashtme të QV-së, përfshirë oborret, hyrjet dhe perimetrin 150 metra. Në çdo rast të evidentimit të individëve të paautorizuar, grumbullimeve të dyshimta, presioneve ndaj votuesve, sjelljeve kërcënuese ose materialeve të ndaluara në këtë zonë, koordinatori do të njoftojë menjëherë komisionin/et e qendrës së votimit në vendndodhjen përkatëse, sekretarin e KZAZ-së, dhe do të komunikojë menjëherë me sallën operative të Policisë së Shtetit në zonën përkatëse, përmes numrit 119.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
Çdo shkelje që konstatohet do të përfshihet në procesverbalin e koordinatorit të sigurisë, ku emrat e personave që abuzojnë gjatë procesit zgjedhor do të bëhen publikë në faqen zyrtare të KQZ-së.
Prania e personave të paautorizuar pranë qendrave të votimit ka qenë një shqetësim në dy proceset e fundit zgjedhore, të cilat janë evidentuar si problematike edhe në raportet e monitorimit të OSBE/ODIHR.