Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka aplikuar pranë Entit Rregullator të Energjisë për licencimin në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga impianti fotovoltaik që po ndërtohet në digën e Zadejës, në hidrocentralin e Vaut të Dejës.
Impianti do të ketë një fuqi të instaluar prej 8.25 MW, teksa licencimi është një hap drejt vënies në operim të parkut fotovoltaik, pasi licenca e prodhimit është një nga procedurat e nevojshme përpara fillimit të aktivitetit të centralit.
Projekti për ndërtimin e impiantit fotovoltaik në digën e Zadejës u tenderua nga KESH në vitin 2023, me një fond limit prej 837.1 mln lekësh. Kontrata u konceptua në katër faza, duke përfshirë hartimin e studimit të fizibilitetit, projektimin dhe sigurimin e të gjitha lejeve të nevojshme, ndërtimin e centralit, testimin dhe vënien në punë, si edhe mirëmbajtjen për një periudhë 2-vjeçare.
Impianti i Zadejës do të jetë centrali i dytë fotovoltaik i zhvilluar nga KESH mbi infrastrukturën e hidrocentraleve të tij, pas parkut diellor me fuqi 5.14 MW në digën e Qyrsaqit. Sipas KESH, investimi synon diversifikimin e portofolit të prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme dhe rritjen e shfrytëzimit të infrastrukturës ekzistuese të Kaskadës së Drinit.






