Ambasadori britanik në Tiranë Alastair King-Smith ka mbajtur një deklaratë gjatë homazheve të bëra për ndarjen nga jeta të mbretëreshës Elisabeth II. Në fjalën e tij, ambasadori është shprehur se janë të dërrmuar nga vdekja e mbretëreshë, ndërsa tha se ajo ishte shëmbëlltyra e shërbimit publik.

“Të gjithë jemi të dërrmuar nga vdekja e Madhërisë së Saj, Mbretëreshës. Ajo është monarkja më jetëgjatë në historinë e Mbretërisë së Bashkuar. Ajo ishte shëmbëlltyra e shërbimit publik, tërësisht e përkushtuar ndaj vendit dhe popullit të saj. Edhe këtë javë, në ditët e fundit të jetës, ajo qëndroi e përkushtuar në kryerjen e detyrës, duke pritur kryeministrin e saj të pesëmbëdhjetë.Ajo ishte Matriarkja dhe fryma e Britanisë së Madhe dhe popullit britanik. Përkushtimi i saj ndaj detyrës ka qenë frymëzim për mua dhe për të gjithë nëpunësit publikë ndër vite. Dhe unë besoj se Mbretëresha do të vazhdojë të frymëzojë shumë breza të ardhshëm në Mbretërinë e Bashkuar dhe në botë.Siç tha edhe Madhëria e Tij Mbreti Charles III:“Sot mbajmë zi për vdekjen e Sovranes sonë të çmuar dhe nënës sonë të dashur. Unë e di se humbja e saj do të ndjehet thellësisht në të gjithë vendin, mbretëritë dhe Komonuellthin si dhe nga shumë njerëz në të gjithë botën”.Në Shqipëri dhe në këtë rajon, Madhëria e saj Mbretëresha do të kujtohet për Urdhrin e Meritës që i dorëzoi Nënë Terezës, në Nëntor të vitit 1983, si njohje për shërbimin e saj të jashtëzakonshëm për njerëzimin.Gjatë këtyre ditëve të vështira që na presim, do të bashkohemi mes nesh në Mbretërinë e Bashkuar, Komonuellthin dhe botën për të kujtuar trashëgiminë e saj të jashtëzakonshme.Kurora i ka kaluar Mbretit Çarls i III-të. Ndërsa mbajmë zi bashkë me të për largimin e Madhërisë së saj, ne i japim atij dhe familjes së tij ngushëllimet si dhe urimet për të ardhmen”, tha ambasadori.

Flamuri i Mbretërisë së Bashkuar në Ambasadën britanike në Tiranë është ulur në gjysmështizë në shenjë respekti pas ndarjes nga jeta të Madhërisë së Saj Mbretëreshës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu