Nga data 1 shkurt 2023, do fillojë të implementohet në terren harta e re gjyqësore. 
Pas ndryshimit të ligjit, të gjitha gjykatat e Apelit në rrethet Korçë, Gjirokastër, Vlorë, Durrës dhe Shkodër, do përqëndrohen dhe funksionojnë në Tiranë.

Në 28 korrik, Këshilli i Lartë Gjyqësor ngriti një Grup Ndërinstitucional Pune, i cili ka bërë rakordimet e nevojshme për transferimet. 

Pjesë e tij janë ekspertë të KLGJ-së, Ministrisë së Drejtësisë, Prokurorisë së Përgjithshme, gjykatave dhe partnerët ndërkombëtarë.

Aktualisht po funksionojnë 6 nëngrupe pune, të cilët janë angazhuar në hartimin e kuadrit nënligjor të nevojshëm për zbatimin e Hartës së Re Gjyqësore.

Pesë Gjykata Apeli do përqëndrohen në një të vetme dhe puna e tyre do fillojë të funksionojë në datën 1 shkurt 2023. 

Që prej kësaj date, asnjë gjyq civil apo penal nuk do zhvillohet në rrethe, por në Tiranë.

Me këtë skemë shkrihen dhe Prokuroritë e Apelit në Rrethe, të cilat përqëndrohen në Tiranë.

Gjithashtu nga data 1 Maj 2023, të kryhet riorganizimi i gjykatave të shkallës së parë ku dhe të interesuarit do të ndjekin proceset sipas hartës së re.

Transferimet

Puka në Shkodër

Kurbini në Lezhë

Kruja në Tiranë

Kavaja në Durrës

Pogradeci në Korçë

Përmeti në Gjirokastër

Lushnja në Fier

Mati në Dibër

E paprekur nga ky riorganizim mbetet vetëm Gjykata e Sarandës. Kjo për shkak të shtrirjes së madhe territoriale dhe numrit të popullsisë.

Gjithashtu në dokument thuhet se brenda datës 1 korrik 2023, duhet të jetë kryer riorganizimi i gjykatave administrative në rrethe.

“GNP ka vijuar punën duke zhvilluar mbledhje, në të cilat janë dakordësuar Plani i Veprimit dhe afatet kohore për çdo veprim, duke synuar përmbushjen në kohë dhe me efektivitet të procesit të riorganizimit të kompetencave tokësore të gjykatave, sipas fazave përkatëse,” thuhet në dokument.

Shtyllat kryesore të punës përfshijnë burimet njerëzore, infrastrukturën dhe godinat, teknologjinë e informacionit, administrimin gjyqësor dhe informimin e publikut.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu