Urdhri i kryeministrit Edi Rama për dorëheqjen e drejtuesve të institucioneve në varësi të ministrive prek disa nga strukturat më të rëndësishme të administratës shtetërore. Nga Tatimet dhe Doganat, te energjetika, infrastruktura, burgjet dhe agjencitë publike, një numër i madh drejtuesish janë përfshirë në kërkesën për largim nga detyra.
Në sektorin e financave publike, kërkesa prek Ilir Binajn, drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, dhe Besmir Bejën, drejtorin e Përgjithshëm të Doganave. Të dy institucionet kanë një rol kyç në mbledhjen e të ardhurave të buxhetit të shtetit.
Në listë është edhe Etugert Llazi, drejtuesi i Qendrës Kombëtare të Biznesit institucion që administron regjistrimin dhe të dhënat e bizneseve.
Ndryshimet shtrihen edhe në sektorin e infrastrukturës dhe energjisë, ku përfshihen drejtues të disa prej kompanive më të mëdha publike.
Mes tyre janë Eltar Deda, administrator i Albpetrolit, Ami Kozeli, drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Elisian Bici, administrator i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, dhe Viola Haxhiademi, administratore e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.
Kërkesa për dorëheqje është raportuar edhe për Ergys Verdhon, administratorin e Hekurudhës Shqiptare, si dhe Dritan Isakun, drejtorin e Përgjithshëm të Albcontrol.
Në Ministrinë e Drejtësisë, lista përfshin Besmir Kolën, drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit të Provës, Ergys Qiricin, drejtorin e Përgjithshëm të Përmbarimit, Valdrin Pjetrin, drejtuesin e Agjencisë së Trajtimit të Pronave, dhe Eduard Merkajn, kreun e Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Mes emrave të raportuar është edhe Sadleva Bodo, drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, e cila është emëruar në këtë detyrë vetëm pak ditë më parë, më 14 tetor.
Urdhri prek gjithashtu institucione që mbulojnë prokurimet, dokumentet e identifikimit dhe kontrollin financiar. Në këtë grup përfshihen Silda Anagnosti Çepe, administratore e IdentiTek, Jonaid Myzyri, drejtues i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, dhe Ervin Koçi, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës Financiare.
Në listën e publikuar janë edhe tri drejtuese të agjencive shtetërore: Laura Plaku Saro, drejtoreshë ekzekutive e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, Ardita Kuçi, drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural dhe Marjeta Përlala, drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
E megjithatë detaje të reja do të priten në ditët në vijim, teksa më herët Newsbomb.al raportoi se urdhri nga kryeministri ishte dhënë në orën 16:00 dhe të gjithë drejtorët deri në orën 17:00 kishin dorëzuar kërkesat për dorëheqjen e tyre. Madje, një detaj interesant është se zyrat e protokollit kanë qëndruar të hapura deri vonë, në mënyrë që të dorëzoheshin të gjithë dorëheqjet. / Nga “Newsbomb.al“






