Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shpallur fajtor për krime lufte dhe është dënuar me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Trupi gjykues e shpalli atë penalisht përgjegjës për krime që përfshijnë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm, të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Dhomat e Specializuara në Hagë e kanë shpallur ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, fajtor për disa akuza duke e dënuar me 25 vjet burgim. Krasniqi ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit dy mijë e njëzet dhe ishte deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat. Gjatë luftës, Krasniqi ishte zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe anëtar i strukturave drejtuese të saj. Pas luftës ka mbajtur poste të larta institucionale, përfshirë atë të kryetarit të Kuvendit.
Gjykata Speciale në Hagë ka shpallur aktgjykimin ndaj ish-drejtuesit të UÇK-së. Kadi Veseli është dënuar me 18 vite burg. Vendimi është bërë i ditur në kuadër të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i cili është zhvilluar për disa vite në Hagë.
Dhomat e Specializuara në Hagë kanë dënuar Rexhep Selimin me 13 vjet burgim, pasi e shpallën fajtor për krime lufte. Trupi gjykues arriti në përfundimin se Prokuroria e Specializuar provoi përtej dyshimit të arsyeshëm përgjegjësinë penale të Selimit për një pjesë të akuzave për krime lufte. Njëkohësisht, gjykata e shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Selimi ndodhet në paraburgim në Hagë që prej nëntorit 2020 dhe gjatë gjithë procesit është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat.






