Gjykata e Shkodrës ka dhënë masat e sigurisë për 4 efektivët e forcës Shqiponja që u arrestuan nga Agjensia e Mbikqyrjes Policore për masakrën e 30 tetorit me katër viktima. Ndaj tyre u vendosën masat “detyrim paraqitje”, “ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “pezullim nga detyra”. Dy ditë më parë Agjencia e Mbikëqyrjes Policore i vuri prangat katër policëve që ishin në vendngjarje ditën kur ndodhi masakra e Shkodrës me 4 viktima. Ata u arrestuan nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, pasi lejuan që brenda perimetrit të sigurisë të qëndronin persona të paidentifikuar. Po ashtu, inspektorët nuk respektuan procedurat për sigurimin e vendit të ngjarjes thuhet nga AMP. Ne sallen e gjyqit ata mesohet te jene shprehur: “Ne jemi patrulla e dytë që kemi mbërritur në vendngjarje dhe kur kemi shkuar kemi parë shumë kaos, me shumë persona që ndodheshin aty, rreth 50 vetë. Nuk kemi qenë të planizuar aty por kemi dëgjuar në radio se ka aksident rrugor dhe jemi nisur për atje. Sapo kemi mbërritur kemi respektuar procedurat standard. Dy vetë kemi bërë rrethimin e vendngjarjes për të bllokuar kalimin dhe dy të tjerë kanë qëndruar aty. Pasi mbërritëm kuptuam se nuk bëhet fjalë për aksident rrugor por për vrasje me armë zjarri. Menjëherë kemi njoftuar sallën operative dhe ambulancën njëkohësisht. Sapo ka mbërritur ambulanca kemi dhënë ndihmën e parë për të plagosurit që ishin ende gjallë për t’i transportuar drejt urgjencës të spitalit. Personin e tretë që flitet nuk e kemi njohur se kush është. Nuk kemi patur asnjë dijeni nëse është Ibrahim Lici apo dikush tjetër sepse nuk e njohim. Prioritet kemi patur që të rrethojmë vendngjarjen sepse ishte kaos i plotë dhe t’i japim ndihmë të plagosurve që ishin ende gjallë”.