
Në zbatim të vendimit për ndryshimin e rregullave të qarkullimit në rrugën “Gjuhadol”, Ndërmarrja e Shërbimeve dhe Punëve Publike ka përfunduar vendosjen dhe përditësimin e tabelave orientuese dhe sinjalizuese, në përputhje me masat e reja që kanë hyrë në fuqi nga data 1 qershor.
Sipas rregullave të reja, qarkullimi i mjeteve motorike në rrugën “Gjuhadol” do të ndalohet në intervalet kohore 09:00–14:00 dhe 19:00–02:00. Masa synon të krijojë më shumë hapësirë dhe siguri për këmbësorët, veçanërisht gjatë orëve me fluks më të lartë vizitorësh.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me sensin e lëvizjes së mjeteve, i cili tashmë është orientuar nga sheshi “Dugajet e Reja” në drejtim të rrugës “Marin Beçikemi”.
Autoritetet vendore bëjnë të ditur se këto masa janë ndërmarrë për të përmirësuar qarkullimin, për të rritur sigurinë rrugore dhe për të ruajtur funksionalitetin e zonës historike të Gjuhadolit.
Për çdo informacion shtesë, orientim apo asistencë në lidhje me zbatimin e ndryshimeve, Policia Bashkiake do të jetë në dispozicion të qytetarëve.





