Kryeministri Edi Rama ka mirëpritur sot në Tiranë Kryeministrin britanik Keir Starmer, në kuadër të një vizite që përforcon bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Gjatë konferencës së përbashkët për mediet, dy liderët diskutuan mbi forcimin e përpjekjeve të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar dhe emigracionit të paligjshëm, si dhe mbi perspektivën e thellimit të marrëdhënieve. Starmer theksoi rëndësinë e veprimit konkret përballë sfidave, ndërsa Rama vlerësoi modelin e bashkëpunimit me Italinë për emigrantët, si një shembull që mund të zgjerohet edhe në vendet e tjera të rajonit.
Keir Starmer: Diskutuam se si të punojmë së bashku për çështje të aktiviteteve të tjera kriminale. Ky model i veçantë ka qenë më efektivi dhe kryeministri dhe unë mendojmë njësoj, në kuptimin që nuk preferojmë të flasim për problemin dhe t’i biem rreth e rrotull, por të përveshim mëngët dhe ta zgjidhim atë. Ky është qëllimi i task forcës.
Edi Rama: Modeli që kemi sjellë në Shqpëri në bashkëpunim me Italinë, është një model i cili kërkon kohën e vet për tu testuar dhe është një model që në rast se funksionon mund të replikohet në vende të tjera të rajonit. Nëse rezultati i modelit do të jetë pozitiv nuk ka arsye që të mos ketë disponim nga ana e vendeve të tjera. Ne kemi diskutuar edhe për Samitin që do të bëhet në Londër në tetor për Procesin e Berlinit ku Britania do të mikpresë procesin. Në Samitin e Londrës vendet e rajonit do të kenë një dritatre për të diskutuar për marrëdhënien mes Britanisë së Madhe dhe Ballkanit Perëndimor.
Nënshkruhen dy marrëveshjet mes qeverisë britanike dhe shqiptare
Nënshkruhen dy marrëveshjet e përbashkëta mes qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe të Shqipërisë. Ministri i Jashtëm Igli Hasani dhe ambasadori britanik, Nicholas Abbott nënshkruan deklaratën. Nënshkruhen deklaratat e përbashkëta mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë për Avancimin e Bashkëpunimit Dypalësh mbi Prioritetet e Përbashkëta. Ministri i Mbrojtjes dhe ambasadori britanik nënshkruan deklaratën e qëllimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, në lidhje me eksportet në fushën e mbrojtjes dhe bashkëpunimin industrial.