Ministria e Brendshme ka shpallur non grata dy persona të tjerë me shtetësi nga Maqedonia e Veriut. Burimet konfirmojnë se non grata janë shpallur Valon Belja ose i njohur si Valjon Bela, si edhe Bekir Halimi. Dyshohet se dy shqiptarët nga Maqedonia e Veriut kryenin veprimtari kundër shtetit shqiptar.
Vendimi është marrë pas propozimit të njësisë antiterror në Policinë e Shtetit, ndërsa është dhënë konfirmimi nga Ministria e Brendshme, e cila ka shpallur “non grata” Valon Beljan, ose Valjon Belën dhe Bekir Halimin me shtetësi të Maqedonisë së Veriut. Disa javë më parë, Ministria e Brendshme vendosi të shpallë “non-grata” edhe shtetasen Ikballe Huduti, duke i ndaluar hyrjen në vend për një periudhë prej 15 vitesh.






