Është zbardhur ditën e sotme vendimi i Komisionit të Disiplinës dhe Etikës pranë Federatës shqiptare të Futbollit, pas skandalit të dhunës që u regjistrua pas ndeshjes mes Elbasanit dhe Vllaznisë, sfidë e vlefshme për javën e dytë të Superiores.
Kështu, për presidentin e klubit shkodran, Alban Xhaferin është vendosur edhe pezullimi për 15 ndeshje nga aktivitetet sportive, pas grushtit ndaj asistentit të arbitrit, Ergys Spahiu.
Edhe trajneri Edi Martini ka njohur masën e Disiplinës që ka vendosur ta pezullojë për 6 ndeshje nga veprimtaritë. Sa i takon Elbasanit, është vendosur që klubi verdheblu të paguajë 100 mijë lekë të reja për mospërmbushje të përgjegjësive lidhur me rendin dhe sigurinë.
Sakaq, për teknikun e Dinamos, Ilir Dajën, është vendosur pezullimi me dy ndeshje, pas protestave ndaj arbitrit në ndeshjen Skënderbeu – Dinamo.
Në anën tjetër, Komisioni ka vendosur të pranojë edhe kërkesën e lojtarit të Partizanit, Rowan Human, për konvertimin e pjesës së mbetur të dënimit. Kështu, lojtari do të jetë i gatshëm për trajnerin Florin Bratu që në ndeshjen e ardhshme që të kuqtë do ta luajnë me Vllazninë në transfertë.
VENDIMET:
1. AF Elbasani, për mospërmbushje të përgjegjësive lidhur me rendin dhe sigurinë, për incidentet e
ndodhura pas përfundimit të ndeshjes, si brenda ashtu edhe në afërsi të stadiumit, në bazë të
neneve 8/1 dhe 17/1 të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
2. Zyrtari i KF Vllaznia, Alban Xhaferi, për sulm ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/l të
KDE, dënohet me 15 (pesëmbëdhjetë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
Në zbatim të nenit 6/2/c të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet gjatë zhvillimit të
veprimtarive sportive të organizuara nga FSHF, deri në përfundimin e dënimit.
3. Zyrtari i KF Vllaznia, Edi Martini, për shkelje të rregullave themelore të sjelljes së mirë dhe sjellje
josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të neneve 13/2 dhe 14/1/j të KDE dënohet me 6
(gjashtë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
4. Zyrtari i KF Vllaznia, Elis Dervishaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit
14/1/j të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
5. Zyrtari i FC Dinamo City, Ilir Daja, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të
nenit 14/1/c të KDE, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
6. Pranimin e kërkesës së lojtarit të FK Partizani, Human Lancaster Rowan, për konvertimin e pjesës së
mbetur të dënimit, bazuar në nenin 75 të Kodit të Disiplinës dhe Etikës.
7. Rrëzimin e kërkesës së Klubit të Futbollit Delvina, në lidhje me faljen e dënimit për zhvillimin e
ndeshjeve pa spektatorë, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikës.
8. Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të KF Iliria, Brajan Selmani, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe
Etikës.
9. Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të KF Oriku, Bruno Telushi, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe
Etikës.
Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.






