Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të rikthejë në qeli ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, të dënuar për korrupsion për çështjen e inceneratorit të Tiranës.
Gjykata vendosi të lërë në fuqi pjesën më të madhe të vendimit të shkallës së parë për Kokën dhe të pandehurit e tjerë, por trupa gjykuese ndryshoi pjesërisht vendimin për ish-ministrin, duke hequr pikën që parashikonte shuarjen e masës së sigurimit “arrest në burg”, të caktuar më herët ndaj tij nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë.
Apeli ka prishur edhe pafajësinë e fituar në Shkallën e Parë nga i pandehuri Jetmir Llapaj, duke e dënuar atë me 8 muaj burg për “shpërdorim të detyrës”. Përveç dënimit me burg, ndaj tij u vendos edhe dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite.






