Policia e Shtetit ka marrë një tjetër mbështetje nga partnerët britanikë, përmes një donacioni me pajisje moderne teknologjike të dhuruara nga Zyra e Operacioneve Ndërkombëtare e Ministrisë së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar (HOIO).
Ceremonia e dorëzimit të pajisjeve u zhvillua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku morën pjesë drejtues të lartë të policisë shqiptare dhe përfaqësues të agjencive britanike.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, vlerësoi bashkëpunimin me autoritetet britanike, duke e konsideruar si një ndihmë konkrete në forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, trafikut ndërkufitar dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme.
Sipas tij, pajisjet e reja do të ndihmojnë strukturat policore në identifikimin më të shpejtë të rreziqeve, rritjen e kontrolleve kufitare, përmirësimin e analizës së informacionit dhe forcimin e hetimeve kriminale.
Edhe përfaqësuesit e HOIO konfirmuan se bashkëpunimi me Policinë e Shtetit do të vijojë përmes asistencës teknike, mbështetjes logjistike dhe shkëmbimit të eksperiencave profesionale.
Donacioni ka një vlerë prej rreth 200 mijë paundësh dhe përfshin pajisje teknologjike që do të përdoren nga Departamenti i Policisë Kriminale, Departamenti për Kufirin dhe Migracionin, si dhe Njësia e Informacionit të Pasagjerëve.
Këto pajisje pritet të rrisin kapacitetet operacionale të Policisë së Shtetit dhe të ndihmojnë në goditjen më efikase të grupeve kriminale dhe kontrollit të lëvizjeve ndërkufitare.






