Në datën 4 maj kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci do të dalë për herë të parë para Gjykatës së Posaçme si person i pandehur nga drejtësia për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera.
Gjyqtarja e themelit Elsa Ulliri do të jetë bashkë me Irena Gjokën dhe Besmir Stërkën, ku do të çelin gjyqin e themelit ndaj Becit dhe 6 vartësve të tij. Më herët nga ana e 5 të pandehurve, mes tyre dhe Becit, është kërkuar të gjykohen me procedurë të shkurtuar, çka do të thotë që në fund të procesit t’i zbritet 1/3 e dënimit.
Sipas SPAK, të pandehurit kanë shkelur barazinë mes operatorëve në një tender konsulence të zhvilluar nga KESH në vitin 2019 me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjetik”. Nga hetimet ka rezultuar se i pandehuri Benet Beci, në bashkëpunim me gjashtë vartësit e tij, kanë vepruar në kundërshtim me legjislacionin për prokurimet publike, duke paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, “Consulting & Management Albania” sh.p.k.
Hetimi ndaj Becit dhe ish-vartësve të tij për këtë çështje filloi pas verifikimit dhe analizimit të provave materiale të sekuestruara gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Evis Berberit, i cili edhe ky akuzohet për shkelje të barazisë në tendera e pastrim parash.






