Barazim 0-0 në “Elbasan Arena” mes Elbasanit dhe Vllaznisë, në kuadër të ndeshjes së parë çerkefinale të Kupës së Shqipërisë.
Rasti i parë serioz i ndeshjes erdhi në minutën e 17-të. Çoba provoi me një goditje të bukur, me topin që shkoi ngjitur me shtyllën.
Në të 25-tën, Balaj hidhet mbi të gjithë, fiton duelin ajror, por gjuajtja e tij me kokë shkoi jashtë.
Në të 43-tën, Elbasani lëshon sinjale të qarta. Nga një pozicion i favorshëm, Qose “flirton” me golin, por gjithsesi nuk koordinohet si duhet, duke çuar dëm një shans të mirë.
Skuadra nga Elbasani e nis në sulm pjesën e dytë. Tsague shkaktoi drithërima në portën shkodrane, por vetëm kaq, pasi nuk gjeti dot portën.
Me kalimin e kohës, ekipet tregohen shumë të kujdesshme, duke mos lejuar shumë hapësira dhe duke mso rrezikuar shumë përpara.
6 minuta nga fundi i kohës së rregullt, Dros vendos në provojë Jukaj, i cili reagoi mjaft mirë. Elbasani dhe Vllaznia lënë të hapura gjithçka kështu për ndeshjen e kthimit.