Ballina Kronike Arrestohet në Nju-Jork 52-vjeçari shqiptar, i dënuar dy herë me nga 25...

Arrestohet në Nju-Jork 52-vjeçari shqiptar, i dënuar dy herë me nga 25 vite burg për tri vrasje në Shkodër (EMRI)

Një 52-vjeçar shqiptar, i dënuar dy herë me nga 25 vite burg për tri vrasje të kryera në qarkun e Shkodrës, është arrestuar në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Bëhet fjalë për Valentin Ftonin, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare që prej vitit 2001. Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, arrestimi u bë i mundur falë bashkëpunimit dhe koordinimit të veprimeve mes strukturave të Policisë së Shtetit dhe tri agjencive federale amerikane: DSS/OCIU, Shërbimit të Marshallëve të Shteteve të Bashkuara (USMS) dhe Agjencisë së Emigracionit dhe Doganave (ICE). Pas një pune të gjatë hetimore, autoritetet arritën të identifikojnë dhe lokalizojnë 52-vjeçarin në territorin amerikan. Sipas hetimeve, dyshohet se pas largimit nga Shqipëria, Ftoni ka përdorur dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe disa identitete të rreme për të hyrë dhe qëndruar në SHBA.

I dënuar për tri vrasje në Shkodër

Më 28 shtator 2001, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër e dënoi Valentin Ftonin me 25 vite burg për vrasje me paramendim, të kryer në bashkëpunim, si dhe për armëmbajtje pa leje. Sipas vendimit gjyqësor, më 19 shtator 2000, në Ças të Velipojës, ai kishte vrarë shtetasit Gj. M. dhe A. M., për motive gjakmarrjeje. Ndërsa më 18 nëntor 2008, e njëjta gjykatë e dënoi sërish me 25 vite burg për vrasjen me paramendim të shtetasit G. T., ngjarje e ndodhur më 12 gusht 2001, si dhe për armëmbajtje pa leje.

Vijojnë procedurat për ekstradimin

Policia e Shtetit bëri të ditur se po vijon punën në bashkëpunim me autoritetet amerikane për përfundimin e procedurave të ekstradimit të Valentin Ftonit drejt Shqipërisë, me qëllim vuajtjen e dënimeve të dhëna nga drejtësia shqiptare. Në njoftimin zyrtar, Policia e Shtetit vlerëson bashkëpunimin me partnerët amerikanë, duke theksuar rëndësinë e koordinimit ndërkombëtar në identifikimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim për vepra të rënda penale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks