Kryetari i Partisë Demokratike, Dega Shkodër, Ardit Çylybyli, ka reaguar pas kërkesës së SPAK për dënimin me 2 vite burg të kryebashkiakut Benet Beci, lidhur me akuzën për shkeljen e barazisë në tendera.
Në reagimin e tij, Çylybyli e cilëson këtë zhvillim si konfirmim të denoncimeve të vazhdueshme të Partisë Demokratike për administrimin e Bashkisë Shkodër dhe mënyrën e përdorimit të fondeve publike.
Statusi plote:
Kërkesa e SPAK-ut për dënimin me 2 vite burg të kryebashkiakut Benet Beci për shkeljen e barazisë në tendera është sot për çdo shkodran dhe shqiptar, konfirmim i asaj që dega e PD Shkodër ka denoncuar prej ditës së parë kur ai ju servir qytetarisë shkodrane si kandidat i partisë së krimit. Për këdo që ka një minimum morali qytetar, kryefjalë e ditës do të duhej të ishte dorëheqja dhe marrja e përgjegjësisë ligjore e politike. Por nga një njeri i ardhur në pushtet me mbështetjen e krimit, i zënë duke vjedhur e ndarë paratë publike për interesa personale, një akt i tillë nuk ka si të vijë.
SPAK me zvarritjen e çeshtjes dhe sot me tentativën për ta konvertuar dënimin me burg në shërbim prove, po i bën qokën e radhës partisë në pushtet, me qëllimin e vetëm për të mbajtur në lojë Benet Becin edhe për pak kohë. Por shkodranët nuk do të gënjehën nga të tilla skema dhe absurditete, kur në lojë është , fati i një qyteti dhe e ardhmja e tyre. Sot nuk kemi të bëjmë thjesht me një çështje personale të kryebashkiakut. Kemi të bëjmë me besimin e qytetarëve te institucioni i Bashkisë Shkodër dhe te mënyra se si janë administruar paratë e tyre.
Si Kryetar i Partisë Demokratike, Dega Shkodër, kërkoj që kjo çështje të trajtohet me transparencë të plotë dhe pa asnjë ndikim politik. Drejtësia duhet të bëjë punën e saj deri në fund dhe askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Qytetarët e Shkodrës meritojnë një administratë të pastër, një bashki transparente dhe një drejtim që mban përgjegjësi përpara tyre.
Partia Demokratike do të jetë në krah të qytetarëve dhe do të kërkojë llogari për çdo abuzim . Kjo administratë sot, dhe njeriu i vendosur në atë karrige nga paratë e krimit dhe bandat, duhet të largohen një orë e më parë!
Shkodra meriton më shumë!






