Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Shkodrës, ku një 27-vjeçare ka ndërruar jetë, vetëm pak orë pasi ishte bërë një apel urgjent për dhurim gjaku në ndihmë të saj.
E reja kishte sjellë në jetë binjakë, por gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua ndjeshëm, duke bërë të nevojshme ndërhyrjen e menjëhershme dhe sigurimin e gjakut të grupit 0 negativ. Apeli për ndihmë u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale dhe në media, duke mobilizuar qytetarë të shumtë.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve dhe gatishmërisë së njerëzve për të kontribuar, 27-vjeçarja nuk arriti të mbijetojë.
Ngjarja ka prekur thellë opinionin publik, ndërsa familja e saj po përballet me një humbje të madhe. Mesazhe të shumta ngushëllimi dhe mbështetjeje janë shprehur nga komuniteti në këtë moment të vështirë.






