Kosi, djathi, gjalpi e gjithë nënproduktet e tjera të qumështit të deles dhe dhisë pritet të kushtojnë më shtrenjtë për konsumatorët pas datës 15 shkurt.
Bazuar në njoftimin e një prej kompanive, Ervin Resuli, nga Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit thotë se rritja e çmimeve do të shkojë deri në 38%.
“Është një shifër e pajustifikuar në të gjitha rrethanat që gjendemi për të rritur në këtë lloj niveli çmimin.”
Por përfaqësues të Industrisë së Përpunimit të Qumështit këtë shtrenjtim të produkteve e justifikojnë me kostot e shtuara.
Donjaldo Hoxha thotë se kompanitë e marrin më shtrenjtë qumështin e deles nga fermerët.
“Nga 110 lekë pa TVSH që ka qenë duke shkuar dhe në 160 lekë për litër. Njëkohësisht ky është një produkt sezonal, prodhohet nga tani deri në muajt e pranverës dhe kjo impakton dhe çmimin e lëndës së parë që blihet nga blegtorët. Gjithashtu kemi një rënie të numrit të krerëve të deleve që bën që sasia e prodhuar e qumështit të deleve të jetë më i pakët dhe për shkak të mekanizmave që vetë rregulluesi ka dhe tregu kjo sjell që edhe lënda e parë të jetë me një çmim më të lartë se ka qenë më parë.”
Për Ervin Resulin ky është abuzim dhe vjedhje ndaj kërkon marrjen e masave nga institucionet përkatëse.
“Autoriteti i Konkurrencës, Drejtoria e Tatimeve dhe AKU duhet të jenë vigjilentë dhe syhapur kundrejt këtyre abuzimeve që ndodhin në treg. Është e patolerueshme dhe e pajustifikueshme që të rrisësh produkte me 40% kur ndërkohë ne kemi një stabilitet total të tregut.”
Hoxha hedh poshtë akuzat e thotë se po tentohet të goditet e dëmtohen kompanitë vendase.
“Ka shumë tentativa të ndryshme, dezinformime dhe keqinformime të publikut të cilat orientohen për të goditur sektorin përpunues dhe prodhues vendas të qumështit.”
Nënproduktet e qumështit të lopës që u rritën ndjeshëm vitin e shkuar nuk pritet të pësojnë ndryshime në çmim.