Ballina Kronike Vrasja e ish-policit Frrok Lleshaj, në burg dy të dyshuarit/ Piroli dhe...

Vrasja e ish-policit Frrok Lleshaj, në burg dy të dyshuarit/ Piroli dhe Ymeri mohojnë akuzat, Prokuroria: Ka pamje filmike, tabulate telefonike dhe dëshmitar

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për Vinçesk Pirolin dhe Kristjan Ymerin, i njohur edhe si Shkambi, të dyshuar për përfshirjen në vrasjen e ish-policit Frrok Lleshaj. Ngjarja e rëndë ndodhi më 4 gusht 2025, në fshatin Paçram të Vaut të Dejës, ku Lleshaj u ekzekutua me armë zjarri. Sipas dyshimeve të Prokurorisë së Shkodrës, Piroli dhe Ymeri janë personat që kanë marrë pjesë në organizimin dhe realizimin e vrasjes. Gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë, mbrojtësit ligjorë të dy të dyshuarve kundërshtuan akuzat, duke pretenduar se klientët e tyre nuk kanë asnjë lidhje me ngjarjen. Avokatët kërkuan një masë më të butë sigurie, konkretisht “Arrest në shtëpi”. Nga ana tjetër, prokuroria paraqiti rezultatet e hetimeve të zhvilluara përgjatë një periudhe njëvjeçare. Në kuadër të tyre janë analizuar pamjet e kamerave të sigurisë, të dhënat e komunikimeve telefonike dhe deklarimet e personave të marrë në pyetje. Sipas organit të akuzës, ndërthurja e këtyre provave ka krijuar dyshime të arsyeshme për përfshirjen e Pirolit dhe Ymerit në vrasjen e ish-policit. Një tjetër element i rëndësishëm i hetimit është edhe dëshmia e një personi që aktualisht ndodhet në burg. Ai ka pretenduar se autorë të vrasjes janë Piroli dhe Ymeri, duke deklaruar se i njeh të dy dhe disponon informacione për përfshirjen e tyre në ngjarje. Megjithatë, personi në fjalë nuk ka marrë ende statusin e të penduarit të drejtësisë. Gjatë seancës, Vinçesk Piroli i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se nuk ka lidhje me vrasjen e Frrok Lleshajt. Ai pretendoi se po bëhet objekt i një persekutimi nga drejtësia, ndërsa kundërshtoi edhe besueshmërinë e dëshmitarit që e ka përmendur si autor, duke vënë në dyshim gjendjen e tij psikike dhe mungesën e provave konkrete. Edhe Kristjan Ymeri ka mohuar përfshirjen në krim. Ai është shprehur se është një person familjar dhe i qetë, pa lidhje me veprimtari kriminale apo me vrasjen për të cilën po hetohet. Mbrojtja kërkoi gjithashtu kryerjen e një ekspertimi për të vlerësuar gjendjen psikike të dëshmitarit që ka ngritur akuzat ndaj dy të dyshuarve. Një nga pistat që po hetohet lidhet me dyshimet për një vrasje të porositur, me motiv të mundshëm gjakmarrjen. Sipas të dhënave të hetimit, familja Lleshaj është përfshirë më herët në konflikte të rënda, përfshirë një ngjarje me pasojë vdekjen e një personi dhe një tjetër vrasje të ndodhur në Greqi. Po ashtu, burime pranë hetimit bëjnë me dije se pamjet e kamerave të sigurisë kanë ndihmuar në rindërtimin e lëvizjeve të dy të dyshuarve. Ata dyshohet se janë filmuar në disa segmente të itinerarit, që nga zona e Fushë-Krujës, ku pretendohet se janë siguruar armët, deri në rrugën e vjetër Lezhë–Shkodër dhe më pas pranë vendit ku ndodhi atentati. Frrok Lleshaj kishte vuajtur më parë një dënim prej 25 vitesh burg. Vetëm dy vite pas daljes nga burgu, ai ishte rikthyer në jetën e tij të zakonshme, duke u marrë me blegtori në fshatin Paçram, aty ku edhe u vra. Me vendimin e gjykatës, Vinçesk Piroli dhe Kristjan Ymeri do të qëndrojnë në paraburgim, ndërsa ndaj tyre rëndojnë dyshimet për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve”. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks