Ballina Aktualitet Shkodra dhe Alicante drejt një partneriteti institucional/ Në fokus binjakëzimi dhe inovacioni...

Shkodra dhe Alicante drejt një partneriteti institucional/ Në fokus binjakëzimi dhe inovacioni përmes inteligjencës artificiale

Shkodra dhe qyteti spanjoll i Alicante-s synojnë të ndërtojnë një partneritet të ri institucional, me fokus shkëmbimin e përvojave, inovacionin teknologjik dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në kuadër të Bashkimit Evropian. Në këtë kuadër, Kryetarja e Këshillit të Qarkut Shkodër, njëkohësisht Këshilltare e Këshillit Bashkiak Shkodër, ka udhëhequr një delegacion të përbashkët të këshilltarëve bashkiakë dhe të Këshillit të Qarkut në një takim zyrtar në Bashkinë e Alicante-s, ku është pritur nga Antonio Peral Villar, Nënkryetar i Bashkisë dhe Këshilltar për Presidencën, Urbanistikën, Inovacionin, Informatikën dhe Agjendën Digjitale.

 

Gjatë takimit janë hapur negociatat për binjakëzimin e dy qyteteve dhe krijimin e një partneriteti afatgjatë, i cili synon të sjellë mundësi të reja bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët. Një ndër rezultatet konkrete të këtij takimi është dakordësimi për vënien në dispozicion të institucioneve të Shkodrës të një aplikacioni inovativ të inteligjencës artificiale (AI), të zhvilluar në kuadër të një projekti të Bashkimit Evropian. Sipas informacionit të prezantuar gjatë takimit, kjo teknologji përdoret në nivel bashkiak vetëm nga Bashkia e Alicante-s në Spanjë.

 

Aplikacioni synohet të shërbejë si një instrument i ri për modernizimin e administratës dhe përmirësimin e shërbimeve publike, me mundësinë e zbatimit si në Këshillin e Qarkut Shkodër, ashtu edhe në Bashkinë Shkodër. Në fokus të diskutimeve kanë qenë gjithashtu mundësitë e bashkëpunimit në turizëm, zhvillim ekonomik, mbrojtje të mjedisit, arsim, kulturë dhe aplikime të përbashkëta në programet e financimit të Bashkimit Evropian. Kjo nismë ka edhe një dimension personal për drejtuesen e delegacionit, e cila ka zhvilluar një pjesë të rëndësishme të formimit të saj akademik në Universitetin e Alicante-s. Rikthimi në këtë qytet tashmë në një rol institucional i ka dhënë takimit një domethënie të veçantë, duke e kthyer lidhjen akademike në një mundësi konkrete bashkëpunimi ndërmjet dy qyteteve.

 

Ndërkohë, komunikimet me Kryetarin e Bashkisë së Alicante-s vijojnë për organizimin e një vizite të kthimit në Shkodër, konkretizimin e procesit të binjakëzimit dhe identifikimin e projekteve të përbashkëta. Nisma synon të hedhë themelet e një bashkëpunimi që shkon përtej marrëdhënieve protokollare, duke krijuar ura të reja komunikimi dhe mundësi për shkëmbim përvojash, inovacion dhe zhvillim në shërbim të qytetarëve të Shkodrës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks