Kryetarja e Qarkut Shkodër Marina Duhani i ka dhuruar Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, Dega Shkodër, një sasi ekzemplarësh të botimit historik të institucionit me titull “Shkodra në vitet e vendosjes së diktaturës komuniste 1945–1953”. Librat iu dorëzuan personalisht nënkryetarit të shoqatës, z. Filip Guraziu, figurë e njohur e jetës qytetare shkodrane. Ky botim dokumenton një nga periudhat më të dhimbshme të historisë së Shkodrës, duke sjellë dëshmi dhe fakte mbi vendosjen e regjimit komunist, pasojat e tij në jetën e qytetarëve dhe vuajtjet e një pjese të madhe të shoqërisë shkodrane. Përmes kësaj nisme, Qarku Shkodër synon të kontribuojë në ruajtjen dhe përcjelljen e kujtesës historike, duke i dhënë rëndësinë e duhur dokumentimit të së kaluarës dhe njohjes së saj nga brezat e rinj tha Duhani në fjalën e saj. Gjatë takimit, Kryetarja e Qarkut Duhani dhe n/kryetari i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë Guraziu ndanë qëndrimin mbi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe të moslënies në harresë të një prej kapitujve më të vështirë të historisë sonë.
Ballina Aktualitet Qarku Shkodër dhuron botime për shoqatën e të përndjekurve politik /“Shkodra në...






