Gjykata e Lezhës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për tre të rinjtë e ndaluar nga policia tre ditë më parë, të dyshuar për përgatitjen e një vrasjeje. Seanca gjyqësore u zhvillua nën masa të rrepta sigurie. Sipas dyshimeve të hetuesve, Vinçesk Piroli, 38 vjeç, dhe Kristian Ymeri, 34 vjeç, lëviznin me një motor të bardhë, të pajisur me skafandra të zeza dhe të armatosur, në aksin e vjetër rrugor Pllanë–Lezhë, me qëllim ekzekutimin e një personi.
Sipas burimeve, ata nuk kanë folur gjatë seancës gjyqësore. Të tre u vunë në pranga pak ditë më parë në kuadër të operacionit policor të koduar “Detajet”, pasi dyshohet se po përgatiteshin të kryenin një atentat. Ndërkohë, sipas burimeve, ndaj tyre ka dyshime për përfshirje edhe në tri ngjarje të tjera kriminale, të dyshuara si vrasje me pagesë.
Ata dyshohen se kanë ekzekutuar Artan Myrtajn në Sarandë, i njohur si ‘Tani i Ruzhdiut’, si dhe dy vrasje të tjera, një në qarkun e Shkodrës dhe një në Mirditë. Vinçesk Piroli, 38 vjeç, dyshohet të jetë ekzekutori kryesor në këto ngjarje.Piroli dhe Ymeri, 34 vjeç, u arrestuan teksa po lëviznin të armatosur dhe me skafandra në një motomjet të vjedhur në Suedi, ndërsa Tarja, 25 vjeç dyshohet se do t’i ndihmonte të largoheshin me automjet pas kryerjes së krimit. Gjatë operacionit u sekuestruan tri pistoleta, municion luftarak, motomjeti dhe automjeti tip “Volkswagen”.
_____________
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë






