Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se avancimi në karrierë në administratën publike duhet të bazohet te merita dhe rezultatet në punë. Gjatë prezantimit të reformës “Shkalla e Meritës”, Rama tha se synimi është të krijohet një sistem ku nëpunësit vlerësohen për kontributin e tyre dhe ku performanca të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin profesional.
Kreu i qeverisë u shpreh se, përtej treguesve ndërkombëtarë dhe përmirësimeve në administratën publike, qytetarët e vlerësojnë shtetin përmes përvojës së tyre të drejtpërdrejtë me shërbimet publike. Sipas tij, qytetarët kërkojnë shërbim cilësor, ndërsa punonjësit e administratës duan që ngritja në detyrë të jetë rezultat i meritës së tyre.
“Merita është një domosdoshmëri për të shërbyer në shtet. Shqipëria është rreshtuar e para në rajon për administratën publike dhe përmirësimet në administratën publike. Përtej indekseve, është njeriu që kërkon nga administrata shërbim cilësor, kërkon karrierë përmes meritës së tij. Është njeriu që brenda administratës kërkon që merita të jetë kushti për ngjitjen e shkallëve të karrierës.
Qytetari nuk takohet me indekset globale, strategjitë, apo programet dhe as nuk e shikon veten nëpër pasqyrat ku reflektohet përmirësimi i Shqipërisë, por ai takohet me shtetin në një eksperiencë personale. Prandaj ne e kemi marrë këtë hap transformues, jo shumë të bujshëm, por të thellë, duke nisur nga BESA, duke vazhduar me Pasqyrën dhe me Praninë Besnike dhe sot kemi një komponent të ri, që është Shkalla e Meritës.
Përtej përmirësimeve dhe rritjes së konsiderueshme të pagave, ajo çka mbetet shumë serioze, është që shumica dërrmuese e nëpunësve thonë që ‘se punon se s’punon kjo duket sikur nuk ka rëndësi për atë që vlerësohesh e të rritesh në karrierë’. Ajo që e bën më negative është që nuk ka pasoja negative për ata që nuk punojnë. Ndërkohë që pjesa më e vogël mbajnë një pjesë shumë të madhe dhe nuk shohin dallim për mënyrën se si vlerësohen”, tha kryeministri Rama.
Një nga problematikat e evidentuara nga kryeministri lidhet me perceptimin e nëpunësve se performanca në punë nuk ndikon sa duhet në vlerësimin dhe avancimin e tyre. “Se punon, se s’punon, kjo duket sikur nuk ka rëndësi për atë që vlerësohesh e të rritesh në karrierë”, citoi Rama shqetësimin e shprehur nga shumica dërrmuese e nëpunësve.
Ai shtoi se një tjetër problem është mungesa e pasojave për ata që nuk përmbushin detyrat, ndërsa një pjesë më e vogël e punonjësve mbart një ngarkesë të madhe pune.






