Tension te kuqeblutë vetëm pak ditë para sfidës së rëndësishme me Dinamon. Vllaznia nuk ka zhvilluar seancën e sotme stërvitore në “Reshit Rusi”, pasi futbollistët kanë vendosur të mos zbresin në fushë.
Në ambientet e kompleksit sportiv kanë mbërritur trajnerët, por jo lojtarët. Stafi teknik ka pritur për një kohë nëse situata do të ndryshonte, por në fund është larguar pa zhvilluar seancën e programuar.
Shkak për këtë qëndrim mësohet të jenë pagat e prapambetura. Sipas burimeve pranë skuadrës, futbollistët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për situatën financiare dhe kanë kërkuar që çështja të marrë një zgjidhje.
Kjo lëvizje vjen në një moment aspak të favorshëm për Vllazninë, e cila ka përpara një ndeshje të rëndësishme ndaj Dinamos. Mungesa e stërvitjes mund të ndikojë në përgatitjet e skuadrës, ndërsa tashmë topi është në fushën e drejtuesve për të zgjidhur situatën.
Pritet që në orët në vijim të ketë zhvillime të reja dhe kontakte mes drejtuesve dhe futbollistëve. Çështja kryesore mbetet nëse do të gjendet një marrëveshje për pagat e prapambetura dhe nëse skuadra do të rikthehet normalisht në përgatitje për sfidën me Dinamon.






