Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve nis aksionin kombëtar për kontrollin e përdorimit të ujit të pijshëm nga lavazhet në të gjithë vendin. Kodi i Furnizimit me Ujë e ndalon përdorimin e ujit të pijshëm për këtë aktivitet. Për këtë arsye, çdo lavazh që përdor ujin e rrjetit publik ka afat deri më 31 tetor për ta ndërprerë këtë praktikë dhe për të siguruar një burim alternativ të ligjshëm.
“Kodi i përdorimit të ujit e përcakton qartë dhe kufizon që ky aktivitet të mund të përdorë ujë të pijshëm për të zhvilluar biznesin e tij. Lavazhet janë ndër aktivitetet me impaktin më të madh negativ në rrjetin e ujësjellësit dhe për këtë arsye rekomandohet që ky lloj biznesi të gjejë metoda të tjera alternative të ligjshme për furnizimin me ujë dhe data 31 tetor është afati i fundit që të gjitha lavazhet mund të kenë mundësinë të reflektojnë dhe të vetë korrigjohen përsa i përket furnizimit me ujë nga rrjeti publik dhe të marrin masa për ta rregulluar këtë gjë”, deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i AKUK, Fludian Çuka.
Çuka theksoi se për lidhjet e paligjshme nuk do të ketë tolerim:
“Pas kësaj date, kush është në rregull me ligjin do vazhdojë të punojë, kush nuk është në rregull do ketë pasoja. Ne pas datës 31 tetor do dalim në terren dhe do marrim masat e nevojshme administrative për të eliminuar këtë fenomen dhe për të ndërgjegjësuar këtë tipologji biznesi përsa i përket ketë lidhje të paligjshme”, tha Çuka.
Ndërhyrjet e paligjshme rrisin humbjet, mund të ndikojnë në presionin dhe funksionimin normal të rrjetit dhe cenojnë furnizimin e qytetarëve.Kontrollet do të zhvillohen në të gjithë vendin. Çdo rast do të dokumentohet dhe për çdo shkelje do të ndiqen procedurat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi. Rrjeti publik i ujit të pijëshëm është pasuri e përbashkët dhe askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në të në mënyrë të paligjshme.”. Afati është 31 Tetori.






