Ipeshkvijtë e Kishës Katolike në Shqipëri janë mbledhur në Shkodër për Asamblenë e 78-të të zakonshme të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë. Punimet po zhvillohen në ambientet e Seminarit Ndërdioqezan Shqiptar, ku në fokus janë jeta dhe misioni i Kishës në vend, sfidat e kohës dhe prioritetet e veprimtarisë baritore. Një prej çështjeve kryesore të kësaj Asambleje është përgatitja për Vizitën “Ad Limina Apostolorum”, të cilën ipeshkvijtë shqiptarë pritet ta zhvillojnë në fund të këtij muaji në Romë. Kjo vizitë përbën një moment të rëndësishëm për Kishën Katolike në Shqipëri, pasi u jep mundësi ipeshkvijve të paraqesin pranë Selisë së Shenjtë gjendjen e komuniteteve katolike në vend, punën baritore, sfidat me të cilat përballen dhe objektivat për të ardhmen. Përtej dimensionit institucional, Vizita “Ad Limina” shihet edhe si një moment bashkimi dhe forcimi shpirtëror për ipeshkvijtë, veçanërisht përmes takimit me Papën dhe dikasteret e Selisë së Shenjtë. Gjatë Asamblesë në Shkodër po shqyrtohet edhe puna e komisioneve të Konferencës Ipeshkvnore, të cilat mbulojnë fusha të ndryshme të jetës dhe veprimtarisë së Kishës. Në diskutime janë përfshirë gjithashtu çështje që lidhen me jetën e Kishës në nivel ndërkombëtar, mes tyre procesi sinodal dhe Dita Botërore e Rinisë. Ipeshkvijtë po vlerësojnë zhvillimet e këtyre nismave dhe mënyrën se si ato po përjetohen dhe zbatohen në realitetin shqiptar. Asambleja e 78-të zhvillohet në një periudhë me disa ngjarje të rëndësishme për Kishën në Shqipëri, duke përfshirë edhe përvjetorin e Lumnimit të martirëve shqiptarë. Në këtë kuadër, takimet në Romë gjatë Vizitës “Ad Limina”, përfshirë audiencën me Papën, pritet të jenë ndër momentet më të rëndësishme të këtij viti për ipeshkvijtë shqiptarë. Punimet e Asamblesë në Shkodër synojnë të shërbejnë si një hapësirë reflektimi, bashkimi dhe koordinimi për barinjtë e Kishës Katolike në Shqipëri, në funksion të misionit dhe veprimtarisë së saj baritore në vend.






