Shkodra flet sërish gegnisht. Në këtë qytet, ku fjala, libri dhe kultura kanë lënë gjurmë ndër breza, është çelur edicioni i pestë i Festivalit Letrar “Gegnisht”. Për dy ditë me radhë qyteti është kthyer në një pikëtakim për shkrimtarë, poetë, përkthyes, studiues dhe artdashës nga trojet shqipfolëse.
Në fokus të festivalit është krijimtaria letrare në gegnisht, përmes poezisë, prozës, esesë dhe përkthimit, por edhe ruajtja dhe përcjellja e kësaj trashëgimie te brezat e rinj. Një nga momentet më të veçanta të këtij edicioni është lidhur me figurën e Kolë Mjedës. Në shtëpinë e tij, në rrugën “Filip Shiroka”, është zbuluar një pllakë memoriale në nderim të figurës së tij. Kolë Mjeda ishte i angazhuar në publicistikë dhe në jetën shoqërore të Shkodrës, ndërsa pas vendosjes së regjimit komunist u arrestua dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Ai ndërroi jetë në Burgun e Burrelit në vitin 1951.
Për organizatorët, “Gegnisht” nuk është thjesht një festival letrar. Është një përpjekje për ta mbajtur të gjallë një trashëgimi që ka shoqëruar historinë kulturore të Shkodrës dhe të veriut shqiptar. Pikërisht në oborrin e kësaj shtëpie u zhvillua edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve të Festivalit “Gegnisht”. Mbrëmja ushoqërua me muzikë dhe performanca artistike, duke sjellë në skenë kitaristin Kejdi Barbullushi dhe pianistin Endri Fusha.






