Tingujt e këngës qytetare shkodrane mbushën oborrin e shtëpisë muze “Oso Kuka”, në një mbrëmje kushtuar muzikës dhe traditës së qytetit. Edicioni i 14-të i “Ahengut Shkodran” solli në skenë këngë të hershme, jare dhe interpretime që janë pjesë e identitetit muzikor të Shkodrës.
Veçantia e kësaj mbrëmjeje ishte edhe ndërthurja e brezave. Në skenë u ngjitën këngëtarë të moshave të ndryshme, nga fëmijë vetëm 7 vjeç, deri tek interpretues mbi 80 vjeç, duke dëshmuar se kënga tradicionale vijon të gjejë vend edhe tek brezat e rinj.
“Sot ka qenë hera ime e parë që interpretoj një jare dhe ka qenë një eksperiencë shumë e bukur për mua, një emocion që s’mund ta përshkruaj me fjalë”, shprehet Ivan Tanushi.
“Unë quhem Mei, jam 7 vjeçe dhe kalova shumë mirë. Këndova “Ky marak”, thotë Mei Hoxha.
Mes këngëve të sjella në këtë mbrëmje ishte edhe një interpretim me një histori personale. Drita Tahja zgjodhi të këndojë një melodi që babai i saj ia kishte kushtuar nënës së saj më shumë se gjysmë shekulli më parë.
“Ia ka dedikuar nënës sime se nëna ime ka qenë shumë e bukur. Unë kam kënduar që fëmijë, por më ka mbetur peng mos të këndoja këngët që kishte bërë babai”, tha Tahja”
Përtej një koncerti, organizatorët e shohin këtë aktivitet si një mënyrë për të mbajtur gjallë repertorin tradicional dhe për ta afruar atë me brezin e ri.
Sinqerisht na ngroh zemrën, është vazhdimësia te brezi i ri, te këngëtarët e rinj. Këtë vit kemi pasur një surprizë, një vajzë në klasë të dytë fillore që vërtet këndoi shumë bukur, pra kjo është vazhdimësi dhe ogur shumë i mirë për artin në Shkodër”, tha drejtuesi artistik Ilir Zoga.
Këngët popullore shkodrane, jaret dhe veshjet tradicionale u bënë pjesë e mbrëmjes, në një aktivitet të zhvilluar në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore. Pjesëmarrja e të rinjve dhe fëmijëve i dha një tjetër dimension “Ahengut Shkodran”, duke dëshmuar se tradita nuk mbetet vetëm një kujtim i së shkuarës, por mund të vazhdojë të jetojë përmes zërit të brezave të rinj.






