Ballina Aktualitet Transferohen dhe i shpëtojnë vettingut, kërkohet ndërhyrje në ligj për zyrtarët e...

Transferohen dhe i shpëtojnë vettingut, kërkohet ndërhyrje në ligj për zyrtarët e policisë

Një ndryshim i propozuar në ligjin për vettingun synon të mbyllë një hapësirë që deri më tani u ka dhënë mundësi disa zyrtarëve të policisë t’i shpëtojnë procesit të rivlerësimit përmes transferimeve në detyra të tjera.

Në relacionin e përcjellë Ministrisë së Drejtësisë kërkohet që trupat e vlerësimit të kenë mundësi të vijojnë procedurat edhe në rastet kur zyrtari që është nën verifikim transferohet, lëviz paralelisht apo ulet në detyrë.

Sipas propozimit, këto lëvizje nuk duhet të përbëjnë më një arsye për ndërprerjen e procesit. Trupa e vlerësimit do të duhet ta çojë procedurën deri në fund dhe të marrë një vendim përfundimtar, i cili mund të jetë konfirmimi në detyrë ose përjashtimi nga Policia e Shtetit.

Ndryshimet e propozuara janë aktualisht duke u shqyrtuar nga Drejtoria e Kodifikimit.

Të dhënat e paraqitura në relacion tregojnë se që nga janari i vitit 2023 janë zhvilluar gjashtë shorte, ku janë përfshirë 159 zyrtarë të niveleve të larta. Nga kjo listë, 129 janë shefa, 7 drejtues të Gardës dhe 23 punonjës të AMP-së.

Problemi që ngrihet lidhet me lëvizjet e shpeshta të drejtuesve të policisë gjatë kohës kur ata duhet t’i nënshtrohen procesit të kontrollit. Në praktikë, transferimi nga një pozicion në një tjetër ka bërë që procedurat ndaj disa zyrtarëve të mos arrijnë deri në një vendim përfundimtar.

Ndryshimi i propozuar synon pikërisht të shmangë këtë situatë, duke bërë që vettingu të vijojë pavarësisht ndryshimit të detyrës së zyrtarit.

Procesi i rivlerësimit të punonjësve të policisë bazohet në tre elementë kryesorë: kontrollin e pasurisë, verifikimin e figurës dhe të lidhjeve të mundshme me krimin, si dhe vlerësimin e aftësive profesionale dhe personale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks