Ballina Aktualitet Ndahen certifikata për 88 fitues të olimpiadave, Rama mesazh nxënësve: Besojini ëndrrës,...

Ndahen certifikata për 88 fitues të olimpiadave, Rama mesazh nxënësve: Besojini ëndrrës, mos u dorëzoni kurrë! Rezultatet e PISA, fryt i punës së gjatë në arsim

Kryeministri Edi Rama mikpriti sot në mjediset e Kryeministrisë, nxënësit fitues të Olimpiadave Kombëtare dhe Ndërkombëtare në Matematikë, Biologji, Kimi, Gjuhë, Letërsi dhe fusha të tjera të dijes.

Kini besim të palëkundur te vetja dhe mbi të gjitha, besojini symbyllur ëndrrës që shikoni me sy hapur.” – inkurajoi Kryeministri Rama teksa shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për nxënësit, duke theksuar se suksesi i tyre është dëshmi e potencialit të rinjve shqiptarë, por edhe e një pune të gjatë për përmirësimin e sistemit arsimor.

Në përfundim të takimit, nxënësit fitues u pajisën me certifikata dhe morën dhurata simbolike në shenjë mirënjohjeje për rezultatet dhe përfaqësimin e denjë të Shqipërisë në olimpiadat kombëtare dhe ndërkombëtare.

 

* * *

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për praninë tuaj!

Më vjen shumë mirë që më në fund u bë i mundur ky takim, them më në fund sepse plani për këtë takim ishte qysh përpara pushimeve, por kërkoi kohën e vet për t’u organizuar dhe më në fund ja ku jeni këtu të gjithë dhe të gjitha për t’ju thënë disa fjalë mirënjohjeje, respekti, natyrisht vlerësimi dhe pastaj edhe për t’ju dhënë, jo vetëm një certifikatë, por edhe një dhuratë, se nuk ka kuptim që të ikni vetëm me një certifikatë në dorë, por na takon t’ju përcjellim pastaj edhe me një dhuratë që shpresoj t’ju pëlqejë.

Është shumë pak në fakt për atë që ju meritoni, por me ato që na u gjendën menduam se e kishim këtë detyrim ndaj jush.

Patjetër që, nuk është keq që kjo ndodh sot, pak ditë pasi ne kemi marrë një lajm që mua personalisht më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë. Nuk janë të shumta rastet në këtë detyrën time kur të jepet mundësia të ndjesh vërtetë kënaqësi dhe të kalojë një ditë e dy ditë dhe ti të vazhdosh të shijosh atë që të jep kënaqësi dhe ky është një nga këto raste.

Testi i Pisa-s 2025, i cili për mua personalisht është një fryt shumë i shijshëm, i një pune shumë të gjatë, jo të lehtë, me të përpjeta dhe tatëpjeta për të transformuar sistemin tonë arsimor, për të transformuar infrastrukturën e shkollave tona, për të transformuar përmbajtjen e mësimit në shkollë, duke transformuar cilësinë e teksteve, për të transformuar situatën e mësuesve dhe mësueseve tuaja që gjithmonë kanë merituar më shumë, edhe sot meritojnë më shumë, por që në këtë punë të gjatë, na u desh ta nisim në radhë të parë nga qetësia e tyre psikologjike, që të jenë në vendin e tyre të punës në bazë të meritës, jo për arsye të tjera dhe të mos lëvizin nga vendi i tyre i punës për arsye që nuk lidhen me profesionin, nuk lidhen me meritën dhe njëkohësisht, duke rritur vijimësisht kontributin e shtetit për familjet e mësuesve përmes rritjes së pagave.

Nga ana tjetër, për të krijuar kushte që mësuesit të vazhdojnë një proces edukimi në vazhdim, trajnimesh si dhe për të rritur cilësinë e drejtimit të shkollave përmes një institucioni të ri që ne krijuam, të Shkollës së Drejtorëve, ku drejtuesit e shkollave shkojnë, mësojnë, certifikohen dhe kthehen në punë me dije të reja, e njëkohësisht mund të mos kthehen pasi nuk arrijnë dot të certifikohen dhe në fund fare për të krijuar një atmosferë më pozitive në shkolla edhe me programet e tjera të orëve pas shkollës, me programet e sportit, me programet e arteve, të zejeve, e kështu me radhë.

Besoj se është një kënaqësi shumë legjitime e një rezultati që pa diskutim është meritë e nxënësve, por nxënësit, ju e dini shumë mirë, mund të jenë shumë të mirë, por nëse gjithçka rreth rrotull të tyre nuk ua bën më të lehtë përpjekjen, atëherë dhe rezultatet nuk janë domosdoshmërish ato që ata mund të japin, në maksimumin e tyre.

Në këtë kontekst, patjetër që janë nxënësit e mirë, janë nxënësit shumë të mirë dhe pastaj janë yjet që jeni ju. Yjet janë pak, se përndryshe s’do ishin yje, por për hir të së vërtetës nuk janë pak,nëse i numërojmë duke marrë parasysh ata ndër ju që janë fitues,jo vetëm olimpiadash kombëtare, por dhe olimpiadash ndërkombëtare.

Dhe që t’ju them se si u krijua kjo mundësi për t’u takuar së bashku, e vërteta është që nisi nga një nxënës i cili u bë i famshëm një ditë të bukur në mjedisin shqiptar për shkak të një rezultati në një olimpiadë botërore të matematikës dhe unë i thashë ministres që të bëjmë diçka për këtë djalin dhe ministrja më tha, “patjetër, por nuk është vetëm ky djali, ka edhe të tjerë që janë fitues në olimpiadat ndërkombëtare”. Dhe kjo pa diskutim është fantastike dhe pa diskutim është tregues i rëndësishëm i rritjes në përgjithësi të nivelit të nxënies sepse është rritur dhe niveli i mësimdhënies.

Ju jeni fëmijë që vini nga shkolla të ndryshme, vini nga familje me status të ndryshëm social, vini nga territore të ndryshme të Shqipërisë dhe do përsëris diçka që e them gjithmonë kur takohem me nxënësit në atë ceremoninë e medaljeve që ne bëjmë çdo vit. Jam i bindur që edhe mes jush ka fëmijë që kanë probleme në familje, që kanë prindër, të cilët mund të mos jenë në gjendje të mirë sociale apo ekonomike, që kanë kushte, jo të lehta për të qenë plotësisht të fokusuar tek puna e tyre e përditshme, që është mësimi dhe me një fjalë, që kanë të gjitha justifikimet e mundshme dhe jo vetëm justifikime, por edhe justifikime të pranueshme nëse s’duan të mësojnë ose nëse nuk dalin me rezultate shumë të mira sepse mund t’i referohen vështirësive edhe të ngrenë duart lart dhe patjetër që ndër fëmijët e Shqipërisë ka të tillë që dorëzohen ose që mjaftohen me ato justifikime dhe nuk bëjnë përpjekje për t’i kapërcyer ato vështirësi. Prandaj dhe në këtë aspekt, ju jeni absolutisht të jashtëzakonshëm në forcën e shembullit tuaj. Ju jeni shembulli se si Shqipëria e gjitha duhet të mendojë në fakt, që pavarësisht vështirësive, pavarësisht prapambetjes në disa aspekte, ende objektive për shkak të historisë, pavarësisht përmasës së vet të vogël, pavarësisht, pavarësisht, pavarësisht, të guxojë, të synojë të ngjitet sa më lart dhe të ngjitet sa më shpejt. Dhe ju bëni këtë pikërisht!

Forca e shembullit tuaj është heroike në kuptimin e vërtetë të fjalës sepse të jesh hero nuk do të thotë të japësh jetën në luftë me një armik, thjesht dhe kaq që patjetër është një akt sublim. Të jesh hero do të thotë që të kapërcesh të gjitha pengesat, që të tjerë në të njëjtat kushte nuk do guxonin as të mendonin se mund t’i kapërcejnë dhe jo më t’i kapërcejnë. Dhe nga ana tjetër të rrezatosh me shembullin tënd tek të tjerët.

Unë e di që ju keni mbase edhe problemin tjetër që jeni shumë të mirë, jeni shumë të shkëlqyer për të qenë idhuj të klasës. Jam i bindur që disa prej jush vuajnë nga zërat dhe nga fjalët që ju thuhen për shkak të smirës që është krejt njerëzore, por fakti që ju jeni këtu, tregon që juve nuk dëgjoni fare nga ai vesh dhe është mirë që mos dëgjoni fare nga ai vesh.

Sa më shumë të bëni sukses, aq më të fortë do jenë zërat që do të përpiqen t’ju thonë se suksesi juaj nuk është i vërtetë, se ju jeni të tillë ose të atillë; se vlerësimi që ju është bërë nuk është i merituar e të tjerë, e të tjerë. Dhe mos harroni që ne jemi të gjithë shqiptarë dhe siç thoshte Faik Konica, ‘’ne jemi shumë të mirë dhe falim çdo gjë përveç suksesit të tjetrit’’. Ne nuk e falim suksesin tjetrit, gjë që e bën suksesin akoma më të vështirë për t’u arritur në këto kushte, por ju e keni arritur dhe ajo që unë dua t’ju them sot është së pari, për mua personalisht, ju jeni frymëzim sepse në punën që unë bëj, kam nevojë që të frymëzohem nga shembuj njerëzish që nuk janë kushtet ideale për të bërë sukses, dhe bëjnë sukses.

Dhe kur kam parasysh ata ndër ju, që siç thashë jetojnë në vështirësi të caktuara për shkak të statusit social të familjes, atëherë për mua ky është inspirim. Kur e bëni ju, atëherë unë patjetër që duhet ta bëj. Dhe ju jeni inspirim njësoj siç janë një inspirim ata që janë të suksesshëm dhe janë në dritat e skenës qoftë këtu, qoftë jashtë. Juve s’jeni në dritat e skenës. Sot për një moment po përfitoni nga kjo skenë, po pastaj juve do vazhdoni jetën tuaj larg dritave të skenës. Dhe unë dua t’ju them vetëm një gjë. Kini besim të palëkundur te vetja dhe mbi të gjitha, besojini symbyllur ëndrrës që shikoni me sy hapur.

Nëse ju ëndërroni me sy hapur që doni të arrini në një majë ku çdokush tjetër mund t’ju thotë “hej”, atëherë mos dëgjoni askënd që ju thotë, “kjo nuk arrihet”. Mos u tërhiqni përballë asgjëje që ju bën të ndjeheni të pafuqishëm për ta arritur. Mbyllni sytë dhe vetëm shikoni atë majën që ëndërroni me sy hapur dhe ndiqeni pa asnjë lëkundje.

Jo gjithmonë gjërat do shkojnë mirë. Do keni momente të vështira, do keni momente kur nuk do jeni fitues siç jeni sot; do keni momente kur do t’ju rrëshqasë një fitore nga duart ose kur nuk do jeni mjaftueshëm të mirë përballë dikujt tjetër që do jetë më i mirë se ju; do keni momente kur jeta do t’ju sprovojë duke ju nxjerrë përpara një hall të madh, por varet e gjitha nga ju dhe nga forca juaj që edhe përballë mjegullës më të madhe dhe nën renë më të zezë, juve symbyllur të besoni që ajo maja që ju keni parë me sy hapur, është e juaja dhe vetëm ju mund ta arrini dhe ju do ta arrini. Këtë mund t’ju them jo nga lartësia e detyrës, por nga lartësia e eksperiencës time.

Shumë faleminderit për praninë tuaj!

Më kanë shkruar shumë gjëra këtu që janë, se sa shumë ne kemi bërë për ju, po unë nuk do t’ju lodh me këto. Thjesht dhe vetëm, ju them që është nder që të jem këtu me ju dhe është privilegj për këtë godinë që të ketë këtu, njerëz të kapacitetit tuaj për të ëndërruar dhe të fuqisë tuaj për të ndjekur ëndrrën. Ushqejeni sa të mundeni atë fuqi dhe mos u dorëzoni kurrë dhe mos e tradhtoni kurrë ëndrrën që keni, ciladoqoftë.

Nëse dikush këtu do të shkojë në Hënë, të jetë i bindur që do shkojë në Hënë, por ama duhet të jetë gati që për të shkuar në Hënë të përballet me çdo lloj sfide që do t’i nxjerrë përpara koha, fati, Zoti, quajeni si të doni. Nuk e di a keni lexuar Odisenë? Nuk e di a e patë filmin që ka dalë. Nëse jo, leximi është i duhuri, po është ca i gjatë dhe ju keni shumë gjëra të tjera për të lexuar.

Filmi është i gjatë, po mjaftueshmërisht i shkurtër për të marrë një frymëzim lidhur me sa thashë. Fiksimi që ‘’unë do arrij atje’’ është gjithçka. Me atë fiksim nuk ka asgjë që të mund, por ama sa më të madh ta kesh fiksimin, aq më shumë duhet të jesh gati të paguash kosto që ta realizosh.

Faleminderit! 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks