Kryeministri Edi Rama mblodhi sërish këtë të mërkurë ministrat, zv.ministrat dhe drejtuesit politikë të PS-së, në Vilën e Kuqe në Sauk.
Burimet bëjnë me dije se tre kanë qenë porositë kryesore të kryeministrit Rama drejtuar vartësve të tij: koordinim, përgjigje, zgjidhje. Kreu i qeverisë ka kërkuar që “Prania Besnike” të ndihet te qytetarët, ku çdo deputet dhe ministër të intensifikojë takimet me qytetarët dhe me anëtarësinë socialiste, si dhe çdo problem të adresohet pranë institucioneve përkatëse për zgjidhje. Zv.ministrat qëndruan vetëm 15 minuta në mbledhje, ku iu caktua si detyrë që një zv.ministër nga çdo ministri të jetë përgjegjës për orën e “Pranisë Besnike”. Pra, do të kenë një takim një herë në javë me qytetarët për t’u njohur me problematikat e tyre. Ky është takimi i tretë në një hark kohor të shkurtër. Pak ditë më parë, Rama mblodhi drejtuesit e qarqeve dhe ministrat në një takim dyditor në Pogradec. Më pas, zhvilloi edhe një mbledhje tjetër në Sauk, te vilat qeveritare.






