Shkodra pritet të përfshihet në një valë ndryshimesh në drejtimin e institucioneve lokale. I pari largim i bërë publik vjen nga sektori i shëndetësisë, ku Jetmir Lumaj ka dorëzuar dorëheqjen nga posti i drejtorit të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor.
Vendimi i Lumajt vjen në një periudhë kur shërbimet shëndetësore në qarkun e Shkodrës janë nën një vëmendje të shtuar, pas ngjarjes tragjike të ndodhur pak ditë më parë në Vaun e Dejës, ku dy persona humbën jetën. Deri tani nuk ka një qëndrim zyrtar që ta lidhë dorëheqjen e drejtorit të NJVKSH-së me këtë ngjarje. Megjithatë, zhvillimi ka ngritur pikëpyetje mbi arsyet që kanë çuar në largimin e tij pikërisht në këtë moment. Sipas burimeve, procedura e dorëheqjes ka nisur tashmë dhe pritet që në vijim të vendoset edhe emri i personit që do të marrë drejtimin e NJVKSH-së Shkodër. Por largimi i Lumajt mund të mos jetë i vetmi ndryshim. Burime pranë strukturave drejtuese flasin për një riorganizim më të gjerë, që pritet të prekë disa institucione dhe drejtori në Shkodër. Në këtë kuadër, mësohet se Lumaj mund të vijojë angazhimin në administratë në një tjetër pozicion. Nëse kjo konfirmohet, atëherë lëvizja do të shihej më shumë si një rishpërndarje e përgjegjësive brenda strukturave drejtuese, sesa si një largim përfundimtar. Ndërkohë, një tjetër emër që pritet të marrë drejtimin e një institucioni në Shkodër është Edita Shoshi, e cila pritet të konfirmohet në krye të AKU-së Shkodër. Ky pozicion ka mbetur vakant pas largimit të Ramir Haderit. Sipas burimeve, në ditët në vijim mund të ketë edhe vendime të tjera për ndryshime në drejtimin e institucioneve lokale. Emrat dhe postet që do të preken ende nuk janë bërë publikë zyrtarisht.
Dorëheqja e Jetmir Lumajt shënon kështu lëvizjen e parë të bërë publike, ndërsa pritet të shihet nëse vala e ndryshimeve do të kufizohet te strukturat shëndetësore apo do të shtrihet edhe në institucione të tjera të Shkodrës.






