Edicioni i XVII-të i “Shkodra Jazz Festival” u përmbyll mbrëmjen e sotme me një koncert të veçantë, duke sjellë në qendër të qytetit tingujt, emocionet dhe atmosferën karakteristike të muzikës jazz. Në sheshin përpara Bashkisë së Shkodrës, publiku pati mundësinë të shijojë performancat e Tiziana Cappellino Trio, si dhe të Mario Marzi & String Quintet, në një mbrëmje që ndërthuri muzikën, kulturën dhe traditën artistike të qytetit.
Koncerti i Tiziana Cappellino Trio u mbështet nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, duke i dhënë festivalit një tjetër dimension të bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë dhe Italisë.
“Shkodra Jazz Festival” është një prej aktiviteteve të rëndësishme kulturore të qytetit, i cili e ka nisur rrugëtimin në vitin 2005, në kujtim të muzikantit të njohur shkodran Rrok Jakaj. Që prej krijimit, festivali ka sjellë në Shkodër artistë dhe formacione të ndryshme të skenës jazz, duke e kthyer qytetin në një pikë takimi për muzikën dhe kulturën.






