Sot, më 26 gusht, shënohet 116-vjetori i lindjes së Nënë Terezës, shenjtores shqiptare që ia kushtoi jetën ndihmës ndaj të varfërve dhe njerëzve në nevojë.
E njohur me emrin e vërtetë Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza lindi më 26 gusht 1910 në Shkup. Në moshën 18-vjeçare u largua drejt Irlandës dhe më pas udhëtoi për në Indi, ku do të kalonte pjesën më të madhe të jetës së saj.
Ajo themeloi Misionarët e Bamirësisë, kongregacion që u shtri në dhjetëra vende të botës dhe u kthye në një nga organizatat më të njohura humanitare.
Për veprimtarinë e saj, Nënë Tereza u nderua me çmime të shumta, mes tyre Çmimin e Paqes “Ramon Magsaysay” në vitin 1962 dhe Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979.
Më 19 tetor 2003, ajo u shpall “Tereza e Bekuar e Kalkutës”, ndërsa më 4 shtator 2016 u kanonizua nga Papa Françesku si Shën Tereza e Kalkutës.
Gjatë jetës së saj, Nënë Tereza u angazhua në misione humanitare në vende të ndryshme të botës. Në vitin 1982, gjatë Rrethimit të Beirutit, ajo ndërmjetësoi për evakuimin e 37 fëmijëve të bllokuar në një spital në zonën e konfliktit.
Në vitin 1991, Nënë Tereza u kthye në Shqipëri, ku hapi një shtëpi të Misionarëve të Bamirësisë në Tiranë.
Figura e saj mbetet një nga emblemat më të njohura shqiptare në botë, ndërsa vepra e saj humanitare vazhdon të kujtohet si simbol i përkushtimit, paqes dhe dashurisë ndaj njerëzve në nevojë.






