Drejtori i Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Shkodër, Edmond Ndou, ka zhvilluar një vizitë inspektuese në Spitalin Bashkiak të Pukës, për të parë nga afër situatën e krijuar pas dëmtimeve të shkaktuara nga kushtet e pafavorshme atmosferike. Në këtë vizitë, Ndou është shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Pukë, Rrok Dodaj, përfaqësues të Drejtorisë së Shërbimit Spitalor, drejtues të spitalit, si dhe përfaqësues të kompanisë përgjegjëse për mirëmbajtjen e objektit. Gjatë inspektimit u verifikua se, pavarësisht dëmtimeve të evidentuara në godinë, shërbimet shëndetësore vijojnë të ofrohen normalisht dhe pa ndërprerje për pacientët. Autoambulanca, mbi të cilën kishte rënë një pjesë e çatisë së dëmtuar, nuk ka pësuar dëmtime.
Ndërkohë, kanë nisur ndërhyrjet për riparimin e problematikave të konstatuara. Aktualisht po punohet për hidroizolimin dhe betonizimin e pjesëve të dëmtuara, me qëllim parandalimin e depërtimit të ujërave në rast të reshjeve të mëtejshme. Paralelisht, po kryhen punime për suvatimin dhe lyerjen e ambienteve të prekura. Gjatë vizitës u diskutua edhe mbi masat që duhen marrë për të garantuar sigurinë e ambienteve spitalore dhe vijimësinë e shërbimit ndaj qytetarëve, veçanërisht në kushtet e përkeqësimit të mundshëm të motit. Situata në Spitalin Bashkiak të Pukës do të vijojë të jetë në monitorim nga strukturat përgjegjëse deri në përfundimin e plotë të ndërhyrjeve, me qëllim rikthimin e plotë të kushteve normale infrastrukturore dhe garantimin e shërbimit shëndetësor për qytetarët.






